Bashkimi Evropian bëri një marrëveshje gjatë ditës së djeshme mbi një ligj i cili ndalon shitjen e veturave të reja me benzinë dhe naftë që nga viti 2035, duke synuar që ta arrijnë kalimin tek veturat elektrike dhe luftimin e ndryshimit klimatik.
Negociatorët nga vendet e BE-së dhe Parlamenti Evropian, të cilët duhet edhe të aprovojnë ligjet e reja të BE-së, si dhe edhe Komisioni Evropian, i cili i harton ligje të reja, u morën vesh se prodhuesit e veturave duhet të arrijnë ulje prej 100 për qind të emetimeve të CO2 deri në vitin 2035m gjë kjo e cila do ta bënte të pa mundur shitjen e veturave të reja me lëndë djegëse fosile në bllokun 27-vendësh, raporton France24, përcjell Telegrafi.
“Kjo marrëveshje është një lajm i mirë për drejtuesit e veturave – veturat e reja me zero-emetim do të kushtojnë më lirë, duke u bërë më të përballueshme dhe duke u ofruar të gjithëve edhe më shumë qasje tek këto vetura”, tha Jan Huitema, krye negociatori i Parlamentit Evropian.
Shefi i politikave klimatike të BE-së Frans Timmermans, deklaroi se marrëveshja dërgoi një sinjal të fortë drejt industrisë së veturave dhe klientëve të tyre.
“Evropa po e përqafon kalimin tek lëvizja me zero-emetim”, tha ai.