Është kthyer në rigjykim në Gjykatën Themelore të Pejës, rasti skandaloz i dhunimit të një të miture, dhunuesi i së cilës ishte dënuar me tetë muaj e tetë ditë burgim.
Seanca e parë është mbajtur këtë të mërkurë në orën 14:00.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti.
Gjyqtarja e rastit Florije Zatriqi ishte suspenduar nga puna, me vendim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK). E njëjta ishte degraduar në Divizionin për Kundërvajtje.
Zhuti bëri të ditur se gjyqtar i rastit është caktuar Arben Mustafa.
Si kishte ndodhur rasti
Ishte janari i vitit 2012 kur një vajzë e mitur 15-vjeçare ishte përdhunuar në një shtëpi të pabanuar në Komunën e Gjakovës. Duke dalë nga spitali, e re dhe e pambrojtur ishte ndalë papritmas nga dy persona të cilët nën kanosjen e thikës e kishin marrë dhe dërguar në atë shtëpi. Ajo ishte dhunuar gjatë tërë natës, dhe sikur të mos mjaftonte për dhunim ishte ftuar edhe një person tjetër i mitur.
Nëntë vite më vonë, për këtë akt përdhunimi seksual u ngritën dyshime të mëdha mbi një gjyqtare dhe prokurore për mënyrën e gjykimit dhe vendosjes për këtë akt.
I akuzuari i cili kur kishte ndodhur përdhunimi ishte 21 vjeçar, u dënua nga gjykata me vetëm tetë muaj e tetë ditë burgim.
Dënimi kishte nxitur reagime të shumta, pasi Ligji për një vepër të tillë ka paraparë dënim nga 5 deri në 20 vite burgim.
Lidhur me këtë rast pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial, është zhvilluar një aksion simbolik nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist. Në këtë aksion simbolik është kërkuar të hetohet përgjegjësia disiplinore e gjyqtares së rastit, të shkarkohet gjyqtarja e rastit dhe të ofrohet transparencë e plotë për rastin.