Rasti i dhunës që dyshohet se ndodhi javën e kaluar ndaj një fëmije 2-vjeçar në institucionin parashkollor “Xixëllonjat” në Prishtinë tashmë po hetohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Ky rast që fillimisht ishte hapur vetëm si shënim zyrtar, tashmë po hetohet në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu kanë bërë të ditur burimet e Sinjalit nga Prokuroria dhe kanë njoftuar se pasi Policia ka siguruar pamjet nga kamerat e sigurisë, është nxjerrë aktvendim për inicimin e rastit ndaj dy të dyshuarave F.R., dhe M.J.
Ndryshe, rasti u zbulua pasi nëna i fëmijës ka raportuar në Polici se edukatorja e ka rrahur djalin e saj, të cilit i ka shkaktuar lëndime.
Në anën tjetër, javën e kaluar, drejtoresha e këtij institucioni Mimoza Morina-Veseli tha se nuk qëndrojnë pretendimet e nënës së 2-vjeçarit pasi sipas dëshmisë së edukatores, nuk është ushtruar dhunë ndaj fëmijës.
Sinjali ka tentuar edhe sot të marrë një deklaratë nga drejtoresha, por për shkak se ka qenë e zënë për arsye personale, e njëjta s’ka mundur të përgjigjet.