Studentët përballen më vështirësi në aplikimin për 100 euro që ka ndarë Qeveria

Studentët janë ballafaquar me probleme teknike në ueb-faqen e platformës “E-Kosova” kur kanë tentuar që të aplikojnë për 100 eurot që i ndan Qeveria e Kosovës për ta.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se sot është hapur aplikimi për studentë për mbështetje nga ‘Pako për Përballje me Inflacion’.

Disa studentë kanë raportuar në KALLXO.com se kanë hasur në probleme, pasi për minuta të tërë faqja ka qenë jashtë funksionit për tu qasur në opsionin e aplikimeve.

Disa të tjerë thonë se në vazhdimësi u shfaqej njoftimi “Ju lutem prisni, kërkesa juaj është në proces e sipër”, por tutje nuk iu është shfaqur ndonjë konfirmim apo anulim i aplikimit.

E-Kosova është platformë në të cilën qytetarët marrin shërbime të ndryshme online.

Kjo platformë është në menaxhim të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Për problemet teknike në E-Kosova, KALLXO.com ka dërguar pyetje në MPB dhe është në pritje të përgjigjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *