Pas shpalljes së ligjit ushtarak në katër rajonet e pushtuara ukrainase nga ana e rusëve dhe me urdhër të presidentit Vladimir Putin, ka reaguar Kievi.
Mihailo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, ka thënë se shpallja e ligjit ushtarak në territoret e pushtuara, do të duhej të konsiderohej si pseudo-legalizim i plaçkitjes së pronës së Ukrainës, transmeton Telegrafi.
“Shpallja e ligjit ushtarak në territoret e pushtuara do të duhej të konsiderohej vetëm si pseudo-legalizim e plaçkitjes së pronës së Ukrainës. Kjo nuk ndryshon asgjë për Ukrainën”, shtoi Podolyak.
Në anën tjetër ai theksoi se Ukraina po vazhdon me çlirimin e territoreve të tyre, ku ritheksoi qëndrimin e qeverisë së vendit të tij, se nuk do të lejojnë që as edhe një pëllëmbë e territorit të Ukrainës t’i jepet dikujt.
Kujtojmë që presidenti rus Vladimir Putin me shpalljen e ligjit ushtarak, mëton të zgjeroj kompetencat mbi katër rajonet e pushtuara.
Në anën tjetër, ekspertë të çështjes konsiderojnë se një veprim i tillë është i pakuptimtë, pasi në ato rajone prej muajsh zhvillohet lufta.