Marrëdhënie seksuale brenda familjes janë vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që kryen akt seksual me paraardhës ose pasardhës të familjes, motra apo vëllezër dënohet me burgim. Ky dënim siç duket e pret edhe një 19-vjeçar nga fshati Plemetin i Obiliqit , i cili është arrestuar të premten, pas disa muajsh në arrati, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se i riu që u arrestua për këtë rast është Elvis Gashi, i cili dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me motrën e tij 15-vjeçare.
Pas arrestimit, Gashi është shoqëruar në stacion policor ku ka dhënë deklaratë për veprën me të cilën ngarkohet. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin për 48 orë dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.
Ndryshe, Gashi ka shijuar lirinë në arrati nga muaji korrik i këtij viti, kur edhe ishte denoncuar ky rast, deri dje kur Policia në Prishtinë e arrestoi.
Sipas Kodit Penal kur vëllai apo motra më e madhe kryen akt seksual me vëllanë apo motrën, me vëllanë ose motrën e adoptuar, me vëllanë apo motrën e birësuar, që është në mes të moshës katërmbëdhjetë (14) dhe gjashtëmbëdhjetë (16) vjet, motra apo vëllai më i madh dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.