Rastet e ngacmimeve, sulmeve e dhunimeve seksuale kanë marrë përmasa të frikshme në vend. Në shumë prej rasteve të tilla, viktima janë vajzat e mitura, të cilat përpos që keqpërdoren seksualisht, përballen edhe me kërcënime e shantazhe nga personat e dyshuar.
Një rast i rëndë dyshohet të ketë ndodhur së fundi në komunën e Zveçanit në veri të vendit. Një vajzë 14-vjeçare dyshohet se është dhunuar seksualisht nga një person i cili po ashtu është i moshës së mitur.
Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar e mitura me nënën e saj, të cilat kanë deklaruar se i dyshuari ka bërë edhe video gjatë kohës që po kryente marrëdhënie seksuale me vajzën dhe ato pamje i ka publikuar në rrjete sociale.
I dyshuari është arritur që të arrestohet dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar nga hetuesit policorë në praninë e prindit dhe avokatit të tij mbrojtës.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 24 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale ‘Dhunim’ dhe ‘Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi’.