Rusët mund të përpiqen sërish të vrasin Volodymyr Zelenskyn?
Vala e bombardimeve intensive ruse të orëve të fundit, që nuk kurseu as kryeqytetin Kiev duke rikthyer raketat atje pas muajsh të tëra qetësie, ka bërë që të ngrihen pyetje mbi sigurinë e presidentit të Ukrainës, i cili në rolin e përfaqësuesit të popullit të tij në këtë luftë, është kthyer në mishërimin e rezistencës ukrainase.
Një numër raketash kanë rënë pranë pallatit presidencial e mediat e huaja po pyesin nëse kjo nuk ishte një rastësi, por një tentativë e re për të eliminuar kreun e shtetit ukrainas. Lideri cecen Ramzan Kadyrov iu kthye kërcënimeve ndaj Zelenskyt, duke thënë: “Shko mbathja tani tek miqtë e tu perëndimorë, e mos e kthe kokën pas”! Këtë mëngjes, në të gjitha rajonet e Ukrainës ranë sirenat e alarmit per sulm ajror. Forcat ruse sulmuan sërish gjatë natës Zaporizhian, ku raportohet për të paktën një viktimë. Shpërthime janë dëgjuar edhe në Kiev, Kryvyi Rih e Rivne.
Perëndimi i dënoi me forcë sulmet ruse. Për presidentin amerikan Joe Biden, ato treguan sërish “brutalitetin ekstrem të luftës ilegale” të kreut të Kremlinit vladimir Putin ndaj popullit ukrainas. Ministri i Jashtëm i SHBA-së Antony Blinken siguroi homologun e tij ukrainas Dmytro Kuleba përmes një telefonate për „ndihmën e pandërprerë ekonomike, humanitare dhe në politikën e sigurisë” të qeverisë së SHBA-së. “Sulmet e qëllimshme të Rusisë ndaj të gjithë territorit të Ukrainës dhe kundër civilëve përbëjnë një ndryshim rrënjësor në natyrën e kësaj lufte”, tha presidneti francez Emmanuel Macron, sipas mediave, gjatë një vizite në Château-Gontier.
Macron shtoi, se me t’u kthyer në Paris do të takohet me këshilltarët diplomatikë dhe ushtarakë për të shqyrtuar situatën. “Kjo nuk është hakmarrje, ky është terrorizëm”, tha kryeministri holandez Mark Rutte. Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock u shpreh e shokuar në Twitter: “Është poshtërsi (dhe) e pajustifikueshme me asgjë, që Putin godet me raketa qytetet e mëdha dhe civilët.” tha ajo, ndërsa e siguroi Ukrainën për mbështetje të shpejtë në mbrojtjen nga sulmet ajrore. Ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht deklaroi për ditët e ardhshme konkretisht furnizimet e para të katër sistemeve super moderne Iris-T SLM për mbrojtjen nga sulmet ajrore. Sistemet e tjera do të pasojnë vitin e ardhshëm.