Ky është i dyshuari kryesor për rastin me thika në Podujevë, u kap pas 4 muajsh në arrati

Gazeta Sinjali raportoi sot për arrestimin e të dyshuarit kryesor për përleshjen me thika, që ndodhi më 19 qershor, afër një lokali në Podujevë, ku mbeti i therur në qafë një 18-vjeçar. Dy të dyshuar të tjerë janë arrestuar në korrik, teksa i dyshuari kryesor u kap dje.

Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se bëhet fjalë për Blend Muratin, i cili u arrestua në pikën kufitare në Jarinje. Ai u kap pasi gjatë ndalimit u verifikua se rezulton në listën e personave të kërkuar. I njëjti është i dyshuari kryesor për këtë rast.

Pas shoqërimit në stacion policor, i njëjti është intervistuar dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Kujtojmë se më 1 korrik janë arrestuar edhe dy të dyshuarit e tjerë, ndërkohë akoma në arrati vazhdon të jetë i dyshuari tjetër A.H.

Në përleshjen e 19 qershorit që eskaloi pas një konflikti verbal kanë qenë të përfshirë gjithsej 4 persona. Ngjarja dyshohet se kishte ndodhur pas një mosmarrëveshje e cila daton që pothuajse një vit, për shkak të xhelozisë që kanë pasur palët mes vete.

18-vjeçari që u ther me thikë, atë natë kishte marrë ndihmë mjekësore në Emergjencën e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Podujevë, e më pas është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë lidhur me rastin.

Burimet thonë se veprimet hetimore nga Policia dhe Prokuroria janë marrë edhe në bazë të dëshmive të siguruara, gjegjësisht pamjeve nga kamerat e sigurisë të lokalit në afërsi të të cilit ndodhi rasti.

Të dyshuarit do të hetohen për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *