Ju mund ta njihni Kolagjenin si një nga përbërësit kryesorë në organizëm, ose mund ta keni dëgjuar si një suplement ushqimor ose kozmetik. Por, çfarë është kolagjeni ekzaktësisht dhe si mund të ndikojë në jetën tuaj?
Kolagjeni është proteina në sasi më të madhe në organizëm, veçanërisht tipi 1 i tij. Kolagjeni gjendet në muskuj, kocka, lëkurë, enët e gjakut, sistemin tretës dhe ligamente. Ai ndihmon për t’i dhënë lëkurës sonë fortësi dhe elasticitet, gjatë zëvendësimit të qelizave të vdekura. Në kyçet tona, kolagjeni është “ngjitësi“ që mban trupin tonë të bashkuar.
Prodhimi i kolagjenit në trupin tonë fillon të ngadalësohet me kalimin e moshës. Ne e vëmë re nga shenjat e moshës, si rrudhat, squllja e lëkurës dhe dhimbjet e kyçeve.
Në pakësimin e prodhimit të ndikojnë dhe faktorë të tjerë, si konsumi i tepërt i sheqerit, duhanpirja dhe ekspozimi i gjatë në diell. Nga studimet, është arritur në përfundimin që mungesa e kolagjenit është si pasojë e një sërë faktorësh, si defekte gjenetike, dietat e varfra me përmbajtje kolagjeni, defiçenca ushqyerje dhe probleme të tretjes, të cilat krijojnë probleme në prodhimin (sintezën) e kolagjenit.
7 PËRFITIMET KRYESORE TË KOLAGJENIT NË ORGANIZËM
- Përmirëson shëndetin e lëkurës dhe flokëve
Me kalimin e moshës, prodhimi i kolagjenit pakësohet. Ju e vini re fizikisht këtë fenomen: squllja dhe varja e lëkurës, krijimi i rrudhave dhe humbja e elasticitetit të saj.
Rritja e nivelit të kolagjenit ju ndihmon që lëkura juaj të duket më e lëmuar, elastike, dhe bën që qelizat e lëkurës të rinohen dhe riparohen normalisht.
Studimet mbi vetitë anti-plakje të kolagjenit kanë dalë në përfundimin se 2.5-5 gram kolagjen i hidrolizuar i përdorur nga femrat e moshës 35-55 vjeç, një herë në ditë për 8 javë, kanë përmirësuar në mënyrë të dukshme elasticitetin e lëkurës, dehidratimin transepidermal (tharjen), dhe ashpërsinë e lëkurës, pa patur efekte anësore. Kjo, e bën kolagjenin një nga përbërësit më të mirë natyralë për kujdesin ndaj lëkurës.
Kolagjeni redukton gjithashtu dhe celulitin, strijat dhe çikatriçet. Kur lëkura humbet elasticitetin, si rezultat i pakësimit të kolagjenit ndodh një tjetër efekt: celulit më i dukshëm. Për shkak se lëkura juaj tashmë është më e hollë, celuliti del më në pah. Përmirësimi i elasticitetit të lëkurës nëpërmjet kolagjenit, bën që celuliti juaj të reduktohet.
- Redukton dhimbjet dhe degjenerimin e kyçeve
Keni ndjerë ndonjëherë dhimbje të kyçeve kur i lëvizni? Kjo ndodh për shkak të pakësimit të kolagjenit; tendinat dhe ligamentet lëvizin më me vështirësi, si pasojë kyçet ngurtësohen dhe enjten.
Me trajtën xhelatinoze, strukturën e butë që mbulon dhe mban eshtrat tona të bashkuara, kolagjeni na lejon të lëvizim pa dhimbje. Mendoni që, marrja e kolagjenit është si grasatimi i menteshave të derës: ndihmon kyçet tuaja të lëvizin lehtësisht, redukton dhimbjet që shpesh vijnë me kalimin e moshës, si dhe redukton rrezikun e degjenerimit të kyçeve. Në studimet e fundit është gjetur që kolagjeni është efektiv dhe për trajtimin e osteoartriteve, dhimbjeve të kyçeve dhe çrregullimeve të tjera kockore.
Kërkimet në Harvard Beth Israel Deaconess Medical Center në Boston dolën në përfundimin që marrja e kolagjenit të tipit 2 ndihmon pacientët që vuajnë nga artriti reumatoid, duke i qetësuar simptomat e dhimbjes dhe pakësuar enjtjet e kyçeve.
Një tjetër studim i publikuar në International Journal of Medical Sciences, rezultoi që pacientët me dhimbje të kyçeve për shkak të osteoartritit, kur u trajtuan me kolagjen të tipit 2, treguan përmirësime të dukshme në aktivitetet ditore, si ngjitja e shkallëve, ecja, etj., duke përmirësuar dukshëm cilësinë e jetës së tyre.
- Ndihmon në mbrojtjen ndaj Leaky Gut Syndrome (sindroma e përshkueshmërisë së zorrëve)
Nëse ju vuani nga Leaky Gut Syndrome, situata kur toksinat janë në gjendje të kalojnë nëpërmjet aparatit tretës, kolagjeni mund të jetë super i vlefshëm. Kolagjeni ndihmon në zbërthimin e proteinave dhe lehtëson sistemin tretës, duke mbrojtur muret e qelizave të dëmtuara dhe injektuar amino-acide mbrojtëse.
Përfitimi më i madh i kolagjenit në tretje, është që ndihmon formimin e indit lidhës, duke “vulosur“ dhe mbrojtur muret e brendshme të traktit gastro intestinal. Sot njihen shumë patologji që shkaktojnë inflamacion ose irritim të këtij trakti. Një shëndet i dobët i zorrëve – përfshirë dhe ndryshimet në florën e tyre – lejon depërtimin e pjesëzave të kalojnë në sistemin e qarkullimi të gjakut, duke shkaktuar një rrjedhje inflamatore.
Studimet kanë konkluduar që në pacientë me inflamacion të zorrëve, është vënë re një ulje e përqëndrimit të kolagjenit. Duke qënë se amino acidet në kolagjen, ndërtojnë indet në traktin gastro-intestinal, marrja e kolagjenit mund të ndihmojë në trajtimin e simptomave të këtij trakti, përfshirë dhe refluksin dhe kolitin ulçeroz.
- Përshpejton metabolizmin, rrit masën muskulare dhe energjinë.
Marrja e kolagjenit ndihmon në rritjen e metabolizmit të organizmit, duke forcuar masën muskulare dhe ndihmuar me konvertimin e ushqyesve themelorë. Një nga rolet më kryesore të glicinës është formimi i indeve muskulore, duke konvertuar glukozën në energji që ushqen qelizat muskulore. Duhet të keni parasysh që mirëmbajtja e masës muskulore është thelbësore për moshën tuaj, duke qënë që ndihmon lëvizjen, shëndetin kockor dhe djeg më shumë kalori. Kur konsumoni kolagjen, ju mund të përfitoni më shumë, duke konsumuar dhe vitaminë C, në mënyrë që trupi të mund të konvertojë kolagjenin në një proteinë të dobishme. Kjo bën që ju të rikuperoni burimin e energjisë dhe vitalitetit.
Por nuk është kjo, gjithçka që glicina mund të bëjë për metabolizmin tuaj. Kërkimet shkencore kanë nxjerrë që glicina ka një rol të rëndësishëm si në funksionin tretës, dhe në sistemin nervor qëndror, duke e mbajtur trupin të shëndetshëm dhe të ri. Glicina ndihmon në ngadalësimin e plakjes, duke përmirësuar përdorimin e antioksidantëve nga trupi, si dhe përdoret në procesin e ndërtimit të qelizave të shëndetshme të ADN dhe ARN.
Është vërtetuar që arginina rrit aftësinë trupore për të bërë proteina nga amino-acidet e tjera, që është e rëndësishme për riparimin e indeve muskulore, shërimin e plagëve, rritjen e metabolizmit dhe ndihmon në rritje dhe zhvillim.
Ndërsa glutamina ndihmon në mbajtjen e energjisë së duhur duke lehtësuar sintezën e shumë përbërësve kimikë. Ky amino-acid i jep “karburant” qelizave tona, përfshirë karbon dhe nitrogjen.
- Forcon flokët, thonjtë dhe dhëmbët
Keni pasur ndonëjherë thonj të dobët dhe të çarë? Kjo ndodh për shkak të mungesës së kolagjenit. Proteina e kolagjenit është “tulla” ndërtuese për thonjtë, flokët dhe dhëmbët. Shtimi i kolagjenit të regjimin tuaj ushqimor ndihmon në shëndetin e thonjve dhe pakëson rënien e flokut.
Një studim i publikuar në Journal of Investigative Dermatology thekson se ka një marrdhënie thelbësore ndërmjet matricës ekstraqelizore (ECM) dhe rigjenerimit të folikulave të flokut, duke sugjeruar që kolagjeni mund të jetë një mundësi terapeutike potenciale për rënien e flokut dhe sëmundjet e tjera të lëkurës së kokës.
- Përmirëson shëndetin e mëlçisë
Nëse ju po përpiqeni të detoksifikoni trupin tuaj nga toksinat, të përmirësoni qarkullimin e gjakut dhe të mbani zemrën tuaj të re, kolagjeni është shumë i dobishëm. Kjo, për shkak se glicina ndihmon në minimizimin e dëmtimeve të mëlçisë gjatë përthithjes së substancave të huaja, toksinave ose alkolit.
Një nga rrugët më të lehta për të pastruar mëlçinë, është me anë të supës me lëng mishi (me kocka). Për këtë, rekomandohet një “kurë” 3 ditore me këtë supë detoks. Studimet kanë gjetur që glicina mund të përdoret për të reduktuar nivelin e dëmtimit të mëlçisë nga alkoli, si dhe nga dëmtimet e tjera kronike apo akute.
- Mbron shëndetin kardiovaskular.
Amino-acidi proline ndihmon muret e arterieve të çlirohen nga depozitimi i yndyrës në to, duke minimizuar krijimin e pllakave sklerotike dhe ngurtësimin e arterieve.
Për më tepër, arginina ndihmon prodhimin e oksidit nitrik, i cili ndihmon elasticitetin e enëve të gjakut, që sjell zgjerim të arterieve, relaksimin e qelizave muskulore dhe bën të mundur një qarkullim më të mirë të gjakut.
ÇFARË ËSHTË KOLAGJENI? TIPET DHE BURIMET
Nga se përbëhet kolagjeni? Si fillim, prokolagjeni është “pararendësi i tretshëm i kolagjenit, i formuar nga fibroblastet dhe qelizat e tjera në procesin e sintezës së kolagjenit”.
Më poshtë, ju japim një vështrim të përgjithshëm të tipeve të kolagjenit, burimeve të tij, dhe përfitimeve kryesore, mbi të cilat mund të gjykoni cili tip i kolagjenit është më i mirë për ju:
- Tipi 1/Tipi I: Është tipi më i bollshëm dhe konsiderohet të jetë më i forti në tipet e kolagjenit që gjenden në trupin e njeriut. Është i përbërë nga fibra eosinofilike që formojnë pjesët e trupit, përfshirë tendinat, ligamentet, organet dhe lëkurën (dermis) Kolagjeni i tipit 1, ndihmon gjithashtu për formimin e kockave dhe mund të gjendet dhe brenda traktit gastro intestinal. Ëhstë shumë i rëndësishëm për shërimin e plagëve, për t’i dhënë elasticitet lëkurës dhe bashkuar indet.
- Tipi 2/Tipi II: Tipi 2 i kolagjenit ndihmon në ndërtimin e indeve të buta (kërceve). Shëndeti i kyçeve tona bazohet në indet e buta të krijuara nga kolagjeni i tipit 2, i cili ka si aftësi kryesore parandalimin e dhimbjeve të kyçeve dhe simptomave të ndryshme të artritit.
- Tipi 3/Tipi III: Kolagjeni i tipit 3 është i përbërë nga fibra rektikulare dhe është përbërësi kryesor i matricës ndërqelizore, nga e cila përbëhen organet dhe lëkura. Zakonisht gjendet bashkë me tipin 1 dhe i jep lëkurës elasticitet dhe fortësi. Ky tip formon gjithashtu enët e gjakut dhe indet e brendshme të zemrës. Për këto arsye, mungesa e kolagjenit të tipit 3 lidhet me rrezikun më të madh për çarjet e enëve të gjakut, sipas rezultateve në disa studime mbi kafshët.
- Tipi 4/Tipi IV: Kolagjeni i tipit 4 është i rëndësishëm për krijimin e shtresës bazale në qelizat endoteliale që formojnë indet që rrethojnë organet, muskujt dhe yndyrën. Shtresa bazale nevojitet për funksionin e nervave dhe enëve të gjakut. Ajo shtrihet në pjesën më të madhe të organeve të tretjes dhe sipërfaqes respiratore. Shtresa bazale mund të gjendet në hapësirën midis shtresës së sipërme të lëkurës/indit dhe shtresës më të thellë. Është një shtresë e hollë në trajtë xheli që krijon mbështetje për indet mbi të.
- Tipi 5/Tipi V: Ky tip kolagjeni nevojitet për të krijuar sipërfaqen e qelizës, fijet e flokut, si dhe indet që gjenden në placentën femërore (organi që zhvillohet në uterus gjatë shtatëzanisë, dhe jep oksigjen dhe ushqim për fëmijën që po zhvillohet, si dhe largon papastërtitë)
- Tipi 10/Tipi X: Tipi 10 ndihmon në formimin e kockave të reja dhe indeve artikulare. Është shumë i dobishëm për riparimin e frakturave dhe të lëngut sinovial në kyçe.