Qindra e mijëra euro para të falsifikuara po vazhdojnë të vihen përditë në qarkullim në tregun e Kosovës. Të dyshuarit për këtë vepër penale në shumicën e rasteve veprojnë bashkërisht. Një grup i tillë ka qenë nën llupën e Drejtorisë rajonale në Gjilan tash e sa ditë, derisa sot u kap. Katër persona përfunduan në prangat e Policisë, nën dyshimin për falsifikim të parave.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se katër të arrestuarit janë Lend Maksuti dhe Redon Dervishi, të dy nga Gjilani dhe dy të rinj nga Prishtina, Apollon Morina dhe Endrit Dervodeli. Ky i fundit është futbollisti nga Prishtina, i cili ka denoncuar se është mashtruar nga disa persona, të cilët sipas tij ia kanë marrë 100 mijë euro. Sipas të njëjtave burime ende nuk dihet nëse kanë ndërlidhje dy rastet me njëra tjetrën.
Por çfarë dihet për grupin e dyshuar që u arrestua sot?
Gjithçka u zbulua pas denoncimit të një zyrtari të bankës “Raiffeisen Bank” në Gjilan”, i cili para tri ditësh raportoi për dyshimet se një kartëmonedhë prej 100 eurosh që ishte deponuar në bankomat mund të ishte e falsifikuar. Kjo aktivizoi Policinë, me ç’rast u identifikua dhe intervistua personi që kishte deponuar paratë.
Bëhet fjalë për pronarin e një argjendarie, i cili kishte deponuar qindra euro në bankomat, e në mesin e tyre ishte edhe një 100-she e falsifikuar. Kjo kartëmonedhë dhe disa të tjera që janë deponuar së fundmi në banka të ndryshme në Gjilan dyshohet se janë vënë në treg nga katër të arrestuarit.
Me rastin e arrestimit, me urdhër të Prokurorit dhe aprovim të gjyqtarit janë kryer edhe bastisje në shtëpitë e dy të dyshuarve nga Prishtina.
Pas arrestimit dhe mbledhjes së dëshmive që provojnë përfshirjen e katër të arrestuarve në këtë rast, të njëjtit janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.