Vetëm sot Gazeta Sinjali ka raportuar për disa raste të dhunimeve, fenomen ky mjaft shqetësues që nga ngritur debat të ashpër muaj e fundit për hetimet e rasteve të tilla dhe qasjen e institucioneve karshi tyre. Në mesin e vajzave e grave që u dhunuan, Sinjali raportoi se është edhe një 29-vjeçare të cilën dyshohet se e keqtrajtoi seksualisht i ish-fejuari i saj.
Burimet nga Sinjali kanë bërë të ditur se i dyshuari që u arrestua për këtë rast është Shkelzen Kosumi, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Ish e fejuara e Kosumit, 29-vjeçare ka rrëfyer para hetuesve policorë gjithë tmerrin që ka përjetuar në një nga motelet e Ferizajt.
Bazuar në dëshminë e saj, i dyshuari e kishte ndjekur nga pas me veturë dhe me të parë se ajo ka marrë një person në veturën e saj, u ka dalë atyre përpara dhe është përleshur fizikisht me personin e tretë.
Si pasojë e kësaj, viktima ishte alivanosur dhe i dyshuari duke e shfrytëzuar situatën e kishte marrë në veturën e tij dhe ishte nisur për në motel, ku edhe dyshohet se e ka detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.
Kujtojmë se vetëm gjatë ditës së sotme janë raportuar edhe dy raste të tjera të dhunimit, ku viktima janë dy vajza të mitura nga komuna e Gjakovës.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.