Greva e cila ka filluar sot një muaj siç duket do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Kryetari i SBASHK-ut, theksoi se nuk ka ndonjë ofertë të re në lidhje me grevën, përkatësisht ndërprerjen e saj, duke bërë të ditur se kanë qenë në pritje të ndonjë ftese nga Qeveria e Kosovës.
“Fatkeqsisht kemi qenë në pritje gjatë të shtunës dhe të dielës mos po ndodh ndonjë ftesë nga Qeveria dhe mos po kemi ndonjë takim si Këshill Grevist i BSPK-së. Nuk ka as ofertë të re, madje në vend të kësaj, Kurti vazhdon me deklarata, siç ishte ajo që Sindikalistët janë me këtë e atë” – tha ai.
Tutje ai komentoi edhe deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ditën e sotme i quajti sindikalistët “Sindikalistë të PAN-it”.
“Është dashur të fillojë më 1 shtator. Bëhet fjalë për një inati ndaj qeverisë. Sindikalistëve të PAN-it iu ka këputur sahati më 14 shkurt. Është keq se sa shumë po humbmi” – ishte deklarata e Kurtit.
Sipas Jasharajt, Kurti në vend që të jap ndonjë mesazh pozitiv që do të ndikonte në ndryshimin e situatës jep këso deklarata që nuk e kanë asnjë argument.
“Në vend të një fjalie pozitive që do të ndikonte në ndryshimin e situatës ai vazhdon me këto deklarata që nuk e kanë asnjë argument. Kur thuhet Sindikalistët Kurti e di që nuk ka të bëj me dy, tre apo 5 individë, por sindikalistë quhen të gjithë anëtarët e një Sindikate, në këtë rast më shumë se 25 mijë janë vetëm ne SBASHK” – tha Jasharaj.