Mosmarrëveshjet mes qytetarëve të Kosovës lindin për arsye të ndryshme. Ato shpesh herë eskalojnë në ofendime, të shara e kërcënime në drejtim të njëri-tjetrit, madje duke shpërthyer edhe përleshjet fizike. Një problem i kamotshëm mbeten edhe parkingjet të cilat bëhen mollë sherri për njerëzit, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje rreth orës 13:00 në Mamushë, ku një burrë dyshohet se ka kërcënuar me vdekje fqinjin e lokalit ngjitur me lokalin e tij.
Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar në Polici një 53-vjeçar, i cili ka deklaruar se i dyshuari e ka kërcënuar duke i thënë se e vret. E gjithë kjo ngatërresë mes tyre dyshohet se ka ndodhur pas një fjalosjeje për parkingun e lokaleve.
Përballë kësaj situate, ai ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, të cilët në koordinim me Prokurorinë Themelore kanë bërë kërkesë për bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, pasi që sipas viktimës ai posedon armë zjarri ilegale. Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Kanosje’.