Një grua nga Uellsi vdiq 6 vjet pasi arriti të dilte nga varri ku ishte futur për së gjalli nga i fejuari i saj.
Stacey Gwilliam dhe partneri i saj Keith Hughes po shëtisnin në breg të detit, në Langland Bay të Swansea, në Korrik të 2015, kur u përfshinë në një sherr.
Ai u përpoq t’i këpuste qafën, përpara se ta fuste në një gropë në një fushë golfi. Por gruaja arriti të dilte duke gërmuar tokën me thonj.
Një histori horror, e bërë publike edhe në atë kohë, e që duket se nuk u tejkalua asnjëherë nga Stacey. Sipas një hetimi për vdekjen e saj, 40-vjeçarja vuante nga çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD), ankthi, depresioni dhe paniku që prej ngjarjes së rëndë. Ajo po ashtu vuante nga pneumonia si pasojë e varrosjes për së gjalli.
Sipas hetimit, 40-vjeçarja e cila ishte nga Townhill, vdiq Nëntorin e vitit të shkuar në shtëpinë e saj, për shkak të një infeksioni në kraharor. Ajo kishte telefonuar mjekun një ditë përpara se të vdiste dhe ai i kishte thënë që të merrte antibiotikë. Por një ditë më pas, u gjet e vdekur në shtrat, pasi ishte vetëmjekuar, në tentativë për të trajtuar infeksionin.
Mjeku ligjor doli në konkluzionin se gruaja kishte humbur jetën aksidentalisht si pasojë e vetëmjekimit.
I fejuari i Stacey, Keith Hughes, u arrestua në kohën kur ndodhi ngjarja. Oficerëve të policisë në atë kohë ai u tha: Nuk do ta gjeni kurrë, pa e ditur se në fakt ajo ishte gjallë… 39-vjeçari u dënua me burgim të përjetshëm.