Restoranti Mama’s në Prishtinë në shenjë proteste për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës ka vendosur një tabelë në hyrje të saj, ku thuhet se u “ndalohet” hyrja pa viza shtetasve të Bashkimit Evropian (BE), natyrisht kjo formë “ironie” nga menaxhmenti i saj.
Ky veprim vjen pasi të enjten qytetarët e Kosovës shpresuan se në Samitin e Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor do të futej në diskutim edhe tema për liberalizim vizash për Kosovën, e cila nuk ndodhi.
Ndryshe, më 23 qershor u mbajt Samiti i Bashkimit Evropian me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa përveç retorikës së kamotshme se BE është e përkushtuar ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit, nuk doli diçka konkrete nga ky samit as sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.
Megjithëse kishte shpresa se do të lëvizte diçka në këtë drejtim, Kosova vazhdon të mos e gëzojë të drejtën e lëvizjes së lirë ndonëse Komisioni Evropian dy herë ka theksuar se vendi i ka plotësuar kushtet.
Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Evropë që nuk e gëzojnë lirinë e lëvizjes. /Telegrafi/