Sot u raportua për arrestimin e pronarit të agjencisë turistike ‘Peja Reisebüro’, në Pejë, pas denoncimit të një qytetareje për mashtrim me bileta. Prokuroria nisi hetimet për këtë rast, me ç’rast pronari është ndaluar për 48 orë. Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se bëhet fjalë për Eros Idrizajn.
Qytetarja që denoncoi rastin në Polici po pretendon se ka paguar biletën te kjo kompani, por fluturimi nuk është realizuar.
Sinjali mëson se viktima kishte paguar mbi 1 mijë euro biletë për në Turqi, mirëpo sipas deklaratës së saj, kur kishte shkuar në aeroport, e ka kuptuar që nuk ka rezervim dhe më pas e ka njoftuar Policinë.
Njësitë policore me të marrë informatën janë vënë në lëvizje dhe kanë ftuar për intervistim pronarin e kompanisë, ndaj të cilit kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Mashtrim’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.