Pas takimit me ish- Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar për Kosovën dhe ish- Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Pieter Feith, në shënim të 10-vjetorit të përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, kryeministri Kurti, po ashtu organizoi një pritje për Feith, në ndërtesën e Qeverisë.
Përpos Faith, në këtë organizim të Zyrës së Kryeministrit të ftuar ishin pjesëtarë të korit diplomatik në Kosovë dhe përfaqësues të institucioneve vendore.
Gjatë fjalimit të tij, Kurti duke bërë humor tha se Kosova, nga viti 2008 e deri më 2012, kishte mbret dhe emri i mbretit ishte Pieter Feith.
“Festimi i fundit të pavarësisë së mbikëqyrur do të ishte i paplotë pa falënderuar personin që e drejtoi: Z. Pieter Feith. Në atë kohë, unë isha kritik ndaj mbikëqyrjes ndërkombëtare si një kufizim i pavarësisë dhe sovranitetit tonë. Si aktivist politik, para se të bëhesha deputet i opozitës, vendosa një poster të bukur në Prishtinë duke shkruar “Feith No More””.
“Z. Feith ishte Përfaqësuesi Special i BE-së dhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar – në këtë rast, dy kapele bënë një kurorë. Nga viti 2008 deri në vitin 2012, Republika jonë kishte një mbret dhe emri i mbretit ishte Feith, Pieter Feith. Por duhet të pranoj se këtij mbreti i mungonte ambicia për të qenë një mbret i duhur, edhe pse ishte mjaft i sjellshëm për të mos refuzuar ofertën”, tha Kurti, njofton ZKM-ja.
Sipas tij termi më i përshtatshëm që mund të mendoj për të përshkruar cilësinë e udhëheqjes së Feith gjatë asaj periudhe është shprehja aftësi negative.
“John Keats, poeti i madh romantik, e përdori atë frazë në një kontekst tjetër për të përshkruar gjeniun letrar të William Shakespeare; por mendoj se mund t’i jepet një kuptim i dobishëm edhe në sferën politike: “aftësia negative” mund t’i referohet aftësisë së një udhëheqësi jo vetëm për të vepruar, por edhe për të duruar – aftësinë për të ditur jo vetëm kur është e përshtatshme për të të ushtrojë kompetencat e veta, por edhe kur t’i lërë ato mënjanë”, theksoi Kurti.