“Sunny Hill Festival”, i cili u mbajt fillimish në Prishtinë dhe më pas në Tiranë, solli shumë artistë me famë botërore në vendin tonë. Por ajo që mori vëmendje më të madhe në festivalin e mbajtur në Tiranë, ishte mungesa e këngëtares Dua Lipa, e cila nuk performoi dhe nuk ishte e pranishme në tre ditët e koncertit.
Në lidhje me arsyen se pse këngëtarja me famë botërore, e cila performoi në Kosovë, nuk ishte e pranishme në Tiranë, ka folur babai i saj Dukagjin Lipa. Ky i fundit është organizatori i “Sunny Hill Festival.”
Në një intervistë për “Tv Klan”, ai fillimisht tha se pjesëmarrja e Action Bronson ka qenë një nga dëshirat e tij më të mëdha, teksa shtoi se festivali mund të bëhet i përvitshëm edhe në Tiranë. Sa i përket mungesës së Dua Lipës, ai tha se datat ishin të limituara, ndërsa shtoi se shpreson që ta shohim shumë shpejt këtu.
“Ideja në fillim ka qenë ndoshta që kjo të ndodhë. Domethënë prej vitit 2016 kur kemi filluar me festivalin në Prishtinë, në qoftë se ju kujtohet ka qenë një në Prishtinë, ka qenë një në Tiranë. Mirëpo ka qenë e pamundur në atë kohë logjistikisht për ta bërë atë punë ndërsa tani është situatë tjetër, kemi mundësi tjetër kështu që është kënaqësi të bësh dy festivale në dy kryeqytetet e shqiptarëve. Action Bronson ka qenë një prej akteve të cilat unë e kam pasur dëshirë që ai të vinte në Tiranë, unë e kam pasur mysafir Action Bronson në vitin 2018 në Prishtinë dhe ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për të, më së pari që të vizitojë vendin e vet sepse babain e ka nga Kosova, nënën e ka amerikane, por ne si shqiptarë e ndiejmë veten në shtëpi edhe në Tiranë, edhe kudo në Shqipëri, kështu që kam pasur qejf që hera e parë në Tiranë të jetë Action Bronson si përfaqësues i hip hopit. Dua ishte në Prishtinë, ka qenë ndoshta, mos të them informatë e gabuar, por ajo nuk mund të ishte këtu, datat e limituara, nuk mund të ishte në dy vende. Tirana është këtu, nuk po shkon askund, do ta bëjmë prapë. Po shpresojmë ta shohim shpejt”– tha Dukagjin Lipa.