Ishte paraparë edhe me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës që nga viti 2004, por fatkeqësisht ende nuk është themeluar Policia Gjyqësore, edhe përkundër se zyrtarët e prokurorive e gjykatave tash rreth dy dekada e kërkojnë krijimin e saj për ti ndihmuar gjyqësorit. Deri tash nuk ka pasur veprime konkrete, raporton Gazeta Sinjali.
Mos formimi i saj tash rreth dy dekada nga asnjëra nga qeveritë paraprake, është një mungesë mjaft e madhe për gjyqësorin, ngase siç parashihet me KPK në bashkëpunim dhe në mbikëqyrjen e prokurorit duhet ti kryej një pjesë mjaft të madhe të hetimeve.
Nga zyra për media e Ministrisë së Drejtësisë theksojnë për Gazetën Sinjali, se në kuadër të mandatit të saj dhe përgjegjësive, me qëllim të reformimit të sistemit prokurorial, i cili në fokus ka rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit në drejtim të hetimit dhe ndjekjes në përgjithësi, e veprave penale specifike në veçanti, siç janë korrupsioni i nivelit të lartë dhe veprat penale komplekse ka hartuar dhe ka proceduar në shqyrtim dhe aprovim në Qeveri Projektligjin për Prokurorinë Speciale, së bashku me Projektligjin për Prokurorin e Shtetit.
“Në kuadër të risive që parasheh projektligji për Prokurorinë Speciale është edhe rregullimi i raporteve të kësaj të fundit me policinë, sipas të cilit është përcaktuar se Prokuroria Speciale, për qëllim të ndërmarrjes së veprimeve hetimore për hetimin dhe ndjekjen e veprave penale të korrupsioni zyrtar, veprat penale kundër detyrës zyrtare dhe veprat penale të krimit të organizuar, do të ndihmohet nga Njësia e veçantë e hetimeve në kuadër të Policisë së Kosovës”, theksojnë nga Ministria e Drejtësisë.
Nga ky dikaster, tregojnë për Gazetën Sinjali, se procedura e punës dhe mënyra e funksionimit dhe bashkëpunimit të Njësisë së veçantë hetimore me Prokurorinë Speciale përcaktohet me akt nënligjor të miratuar nga Qeveria, pas propozimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme në konsultim me Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Sipas MD-së po ashtu është paraparë edhe mundësia e themelimit të ekipeve të përbashkëta të hetimit për qëllim të hetimit dhe ndjekjes së veprave penale për të cilat është kompetente Prokuroria Speciale. Këto ekipe mund të themelohen për raste të caktuara, kur vlerësohet e nevojshme nga prokurori i rastit, i cili edhe e udhëheqë ekipin, e këto ekipe mund të përfshihen zyrtarë të institucioneve shtetërore të cilët me ekspertizën e tyre mund të kontribuojnë në hetimin e veprave penale varësisht nga natyra e çështjes që e zhvillon Prokuroria Speciale. Procedura e punës, organizimi i brendshëm dhe mënyra e funksionimit dhe bashkëpunimit të Ekipit përcaktohet me akt nënligjor të miratuar nga Këshilli.
“Ky propozim, besojmë se do të ndikoj në rritjen e cilësisë së hetimit të veprave penale, me theks të veçantë të atyre komplekse, dhe për më tepër është në pajtim me përcaktimet kushtetuese (nenin 128 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës), dhe ligjore për sa i përket punës dhe mënyrës së funksionimit të Policisë së Kosovës”, thonë nga Ministria e Drejtësisë për Gazetën Sinjali.