Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka kërkuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për tre personat që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në rastin e sulmit seksual ndaj dy motrave të mitura në Skënderaj, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali sot në mëngjes raportoi për një rast të sulmit seksual në Skenderaj, ku viktima janë dy vajza të mitura të moshës 11 dhe 12-vjeçare.
Fqinja e tyre i kishte ftuar ato në banesë, ku ndodheshin edhe dy familjarë të saj të rritur, të cilët dyshohet se sulmuan seksualisht dy motrat.
Policia ka arritur që t’i arrestojë tre të dyshuarit, të cilët kanë përfunduar në ndalim policor.
Sinjali mëson emrat e të dyshuarëve Arjeta Smajli 23 vjeçare dhe dy familjarët e saj, Bledar Jashari 22-vjeç dhe Anton Smajli 30-vjeç.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë Valon Preteni, konfirmoi për Gazetën Sinjali se PTHM të enjten ka dorëzuar në Gjykatën Themelore kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.
Rastin e ka denoncuar në Polici babai i vajzave, sipas të cilit pasi Arjeta i ftoi të miturat në banesën e saj, dy të dyshuarit tjerë i kanë sulmuar ato seksualisht.
Si rezultat i denoncimit, Policia dhe Prokuroria janë vënë në veprim, me ç’rast është urdhëruar ndalimi i të dyshuarve.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohent të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.