Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në shoqërinë e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë ditës së djeshme ka vizituar veriun e vendit dhe kanë bërë homazhe në vendin e rënies në detyrë të pjesëtarit të forcave speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi.
Pos kësaj Kurti e Sveçla kanë vizituar edhe bazën e re të Policisë së Kosovës në Jasenovik të Zubin Potokut, si dhe kampin Belvedere në Mitrovicë.
E kjo vizitë s’kaloi pa u komentuar nga zyrtarët serb. Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se Kurti nuk ka çfarë të kërkojë në veri të Kosovës.
Ai ka krahasuar vizitën e Kurtit me atë të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, ditë më parë.
“Suksesi i vizitës së Ana Bërnabiqit në krahinën tonë jugore është dëshmuar më së miri nga fakti që menjëherë, të nesërmen, Albin Kurti vrapoi për të bërë fotografi në veri të Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Petkoviq në një deklaratë për media të mërkurën. Sipas tij, “për dallim nga Bërnabiqi që u prit me entuziazëm nga mijëra serbë, Kurti u fut në formë sekrete që të mos takonte aksidentalisht serbë, ndërsa të vetmit që e pritën ishin pjesëtarët e ROSU-s”.
Sipas Petkoviqit, Kurti ka për qëllim “vetëm që të shkaktojë tensione, provokime e pasiguri”.
“S’ka asnjë dyshim që Kurti e mban mend mirë se si populli serb i tregoi se s’ka çka kërkon në veri të Kosovës dhe Metohisë kur së fundmi u përpoq publikisht të hynte në një ambient serb. Prandaj edhe u fut tinëz dhe incizoi ‘trimërisht’, për të bindur veten se është në të vërtetë në veri”, ka thënë Petkoviqi, shkruan “N1”.
Vizitën e tij gjatë ditës së martë, kryeministri Kurti e njoftoi në mbrëmje. Pos komunikatës nga Qeveria, Kurti në Facebook publikoi edhe një video të vizitës së përbashkët me Sveçlën.