Këngëtarja shqiptare me famë botërore siq duket po kënaqet shumë në Tiranë.
Ajo ka vizituar sot “Shtëpinë e Ngjyrave”, qendrën komunitare në Tiranë, që ofron të gjithë gamën e shërbimeve për fëmijët dhe familjet e tyre, duke përfshirë këtu edhe strehën e emergjencave dhe së bashku me femijet Rita ka gatuar pite.
“Jam vërtet e nderuar që jam këtu dhe hedh dritë mbi punën e pabesueshme që po bëjnë UNICEF dhe UNICEF në Shqipëri. Më pëlqeu të kaloja kohë me fëmijët frymëzues që takova në Shtëpinë e Ngjyrave. Eksperienca të tilla, ku mund të shoh personalisht se si UNICEF po mbështet fëmijët kudo, theksojnë punën e pabesueshme dhe të paçmueshme që ata po bëjnë”, tha e mrekullueshmja Rita.
Këtë lajm e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili ka ndarë një video në rrjetet sociale, duke thënë se është mirënjohës të gjithë atyre që punojnë me fëmijët dhe familjet në nevojë, që u shërbejnë çdo ditë me përkushtim.
“Më vjen mirë që Rita ishte sot këtu, si Ambasadore e UNICEF-it, për të inkurajuar çdo punonjës social dhe punën e mirë që bëjnë qendrat tona sociale”, ka shkruar Veliaj në rrjetet e tij.
Vizita u përmbyll me aktivitetin “Muri i ngjyrave dhe dritës” ku Rita Ora, fëmijët dhe të gjithë pjesëmarrësit lanë gjurmët e duarve dhe firmat e tyre në një mur të bardhë, në mbështetje të shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve dhe luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Çdo fëmije duhet t’i sigurohet përkujdesja dhe një mjedis i sigurt për të pasur akses në shërbimet e mbrojtjes, arsimimin dhe argëtimin, deklaruan përgjegjësit e kësaj qendre.
Kjo është ajo që ofrohet në “Shtëpinë e Ngjyrave”. Që nga viti 2011, qendra e mbështetur nga UNICEF dhe Bashkia e Tiranës dhe menaxhuar nga Nisma ARSIS, ka ofruar shërbime mbështetëse për rreth 4000 fëmijë të prekur nga përjashtimi social, dhuna në familje, varfëria, migrimi, shfrytëzimi dhe trafikimi i qenieve njerëzore.
https://www.facebook.com/watch/?v=826313815028408