Sveçla nga MPB: 11-vjeçarja është dhunuar sistematikisht për më shumë se një vit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se informacionet e para na qojnë në dyshimet se 11-vjeçarja është dhunuar për më shumë se një vit.

Sveçla ka thënë në konferencën e mbajtur sot se ka kërkuar nga kryeshefi i Inspektorati Policor i Kosovës që të gjithë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë rast, të thirren në cilësinë e dëshmitarit për të kuptuar mbi atë se çfarë ka ndodhur dhe përse ka dështuar shteti në këtë rast.

Ai ka deklaruar se institucionet përgjegjëse kanë dështuar për të mbrojtur viktimën, ndërsa është shprehur i bindur se të gjitha dështimet do të identifikohen dhe përgjegjësit do të denohen.

“Indikacionet e para apo informatat janë se kjo e mitur është dhunuar për më shumë se një vit. Unë kërkesën kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës i kam bërë drejtpërdrejt në mënyrë që të gjithë të përfshirit në këtë rast të thirren në cilësinë e dëshmitarit në mënyrë që institucionet e Kosovës dhe publiku të informohen drejtë mbi atë se çfarë ka ndodh, se çfarë institucionet kanë ndërmarrë dhe po ndërmarrin dhe po ashtu sa më shpejt të jetë e mundur të dalin me të gjeturat e këtij rasti jashtëzakonisht të rëndë”, tha Sveçla.

“Në këtë rast janë përfshirë qoftë Prokuroria, qoftë qendrat për punë sociale, qoftë Policia, por edhe Agjencia e Kosovës për Forenzikë. Të gjitha informatat e deritanishme na tregojnë për dështime të njëpasnjëshme të institucioneve përgjegjëse për të mbrojtur së pari këtë të mitur e më pas për të identifikuar atë se çfarë ka ndodhur, por edhe për identifikimin e dhunuesve që fatkeqësisht nuk janë arrestuar të gjithë”, ka deklaruar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *