Mërgimtarët pagesat dhe aplikimin online, e bënë kur hynë në Kosovë, por kompensim nuk morën as pas një muaji.
Ata që në vendlindje kishin ardhur në korrik, paratë për policën e sigurimit nuk i dolën në llogari, të paktën deri këtë javë.
Qeveria ishte zotuar që t`i mbulojë kostot për makina e motoçikleta për secilin kurbetçi nga 1 janari i këtij viti.
Bashkatdhetarët nuk po e kuptojnë pse po bëhen këto vonesa në inkasim të mjeteve, shkruan Klan Kosova.
Valon Berisha, drejtor i financave në Byronë Kosovare të Sigurimeve, i tha Klan Kosovës se vetëm në korrik 128 mijë e 464 vetura kanë marrë policën e sigurimit, e 71 mijë e 50 në gusht.
Që nga fillimi i vitit, gjithsej 307 mijë polica janë lëshuar, por rimbursimi i tyre është përgjegjësi e thesarit të shtetit.
Ministria e Financave as pas tri ditësh nuk ktheu përgjigje rreth vonesave në pagesat e policave të sigurimit për mërgimtarët.