Marrëveshja e 27 gushtit e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për heqjen e dokumenteve për hyrje-dalje është zgjidhje e Ballkanit të Hapur, sipas kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Nga samiti i Ballkanit të Hapur që u mbajt të premten në Beograd, kreu i qeverisë shqiptare falënderoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për arritjen e kësaj marrëveshjeje, pasi sipas tij, dha një mesazh për të gjithë – atë të paqes.
Madje, ai tha se marrëveshja do të ishte arritur me kohë, nëse Kosova do të ishte pjesë e kësaj iniciative rajonale.
E deklarata të tilla janë manipulim dhe të turpshme, sipas njohësve të rrethanave politike në Kosovë.
Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, në një prononcim për gazeten Telegrafi deklaroi se është e çuditshme se si një kryeministër shqiptar bën deklarata të tilla, siç i quajti, hipotetike.
“Nuk e kisha pritur nga një kryeministër shqiptar, sepse po të kishte qenë kështu, nëse Shqipëria e ka atë fuqi, është dashur ta rregullojë këtë gjë më herët – pra Serbia ta njeh Kosovën dhe të mos kemi probleme të tilla”, tha Arifi.
“Prandaj, falënderimi i Serbisë se kinse ajo e arriti paqen mendoj se është manipulim dhe njëkohësisht e turpshme nga një kryeministër shqiptar. Tash, nëse flasim për targat që është një problem më i madh se ai për dokumentet për hyrje/dalje, kryeministri Rama e ka mundësinë që si udhëheqës i Ballkanit të Hapur t’i thotë Serbisë që t’i njohë targat e Kosovës”, u shpreh tutje ai.
Ndërsa, analisti Gazmir Raci, deklaratat e Ramës në Beograd i quajti absurde dhe ‘blof’ politik për t’i arsyetuar qëllimet e kësaj nisme rajonale.
“Është absurde ajo që ka thënë kryeministri Rama se marrëveshja për dokumentet do të zgjidhej brenda Ballkanit të Hapur. Kjo marrëveshje është e vitit 2011, atëherë kur nuk ka pasur ‘Open Ballkan’ në kokën e asnjë politikani rajonal apo lokal. Është ‘blof’ politik për t’i arsyetuar qëllimet e kësaj nisme rajonale”, tha Raci.
E çuditshme për Arifin dhe Racin është edhe thirrja e kryeministrit Rama që Turqia, Greqia, Italia dhe Hungaria të bëhen anëtare të ‘Open Balkan’.
Një deklaratë e tillë sipas profesorit Arifi është më shumë për shoë politik.
“Sa i përket ftesës nga ana e kryeministrit shqiptar për Greqinë, Italinë e Hungarinë mund të them se është edhe qesharake, sepse janë vende anëtare të BE-së dhe kanë përgjegjësi ndaj vendeve anëtare të unionit sa i përket çështjeve tregtare. Nuk më duket shumë serioze, më shumë është bërë për show politik”, u shpreh ai.
Ndërsa, Raci tha se është e pakuptueshme se çka dëshirojnë të kërkojnë vendet anëtare të Bashkimit Evropian në një iniciativë të Ramës e Vuçiqit.
“Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë iniciativën më serioze, atë të Berlinit e cila mund të ofrojë bashkëpunim rajonal të qëndrueshëm dhe garantues”, deklaroi ai.
“Ballkani i Hapur do të ishte i vërtetë vetëm nëse Kosova do të trajtohej nga Serbia barabartë sikur Shqipëria dhe Maqedonia. Ne s’mund të jemi aty vetëm sa për të thënë se jemi. Barazia e shteteve është shumë më e rëndësishme se sa një fotografi e liderëve të Ballkanit”.
Ndërsa, njohësi i çështjeve evropiane, Demush Shasha, ka thënë se “prej kohesh Rama ka propaganduar se Ballkani Hapur do të siguroj lëvizjen e lirë në rajon dhe njohjen e Kosovës nga Serbia, por këtë javë Kosova ka siguruar lëvizjen e lirë dhe njohjen e letërnjoftimeve nga Serbia pikërisht duke qëndruar jashtë Ballkanit të Hapur”.
“Brenda Ballkanit të Hapur pavarësia e Kosovës relativizohet: promovimi i verës për shembull vjen para shtetësisë së Kosovës. Nga ana tjetër jashtë Ballkanit të Hapur, Serbia duhet të pranoj ekzistimin e shtetit të Kosovës: sikur që pranoj këtë javë letërnjoftimet e Kosovës. Brenda Ballkanit të Hapur Serbia është forcë dominuese politike e çliruar nga kontrollet perëndimore. Jashtë Ballkanit të Hapur Serbia është e ekspozuar ndaj presionit për integrim në strukturat euro-atlantike sipas rregullave të lojës të vendosura nga BE-ja dhe SHBA-ja”, ka shkruar Shasha në një postim në rrjetin social Facebook.
Ndërkohë, në samitin e “Ballkanit të Hapur” që po mbahet në Beograd të premten u firmosën katër marrëveshje: Marrëveshja e sigurisë ushqimore, memorandumi i mirëkuptimit në fushën e kinematografisë për Ballkanin Perëndimor, marrëveshja për bashkëpunimin në fushën ë bashkëpunimit të minierave dhe energjisë, dhe plani operativ në fushën e emergjencave civile, transmeton gazeta Neutral.