Dorëheqjet dyshuese – pse u larguan tre prokurorë e një gjyqtar deri më tash nga Gjykata Speciale?

Michael Bolander, gjyqtar i Dhomave të Specializuara të Hagës konfirmoi dorëheqjen e tij nga Gjykata Speciale, për siç u tha, arsye personale. Ai ishte pjesë e panelit të Gjykatës Supreme në Hagë, e cila ia refuzoi ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, lirimin nga paraburgimi. Disa ditë më pas, ai dha dorëheqjen. Largimi i Bolander është vetëm i radhës nga Dhomat e Specializuara, pasi dorëheqje të tilla ka pasur goxha. Sidomos në Prokurorinë e Specializuar, raporton gazeta Nacionale.

Një dorëheqje e papritur i shkoi këtë javë kryetares së Gjykatës Speciale. Një gjyqtar me përvojë, njëherësh pjesë e paneleve të Gjykatës Supreme në Hagë, u tërhoq nga puna e tij e deritashme. Kjo u tha se ishte për krejtësisht arsye personal

“Sot, gjykatësi Mihael Bolander i dorëzoi Kryetares Ekaterina Trendafilova dorëheqjen e tij si gjykatës në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK). Gjykatësi Bolander, i cili dha dorëheqje për arsye personale, deklaroi se ndihej i nderuar që kishte shërbyer si gjykatës i DHSK-së”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Megjithatë, dilemat e veta për dorëheqjen e këtij gjyqtari i ka avokati i licensuar nga Gjykata Speciale, Skënder Musa. Ky i fundit vlerëson se dështimi i Gjykatës Speciale, mund të sjell dorëheqje të tilla nga ky institucion që avokati e vlerëson se nuk po e kryen punën e tij si duhet, përcjellë gazeta Netural.

“Ai ka qenë edhe gjyqtar i Gjykatës Supreme. Është normale që kur jepet dorëheqja nga instancat gjyqësore, për shkak me ruajt krediblitetin e gjykatës të gjithë deklarojnë për shkaqe personale. Realisht, me pensionimin e këtyre gjyqtarëve bëhen të ditura pastaj arsyet. Nuk besoj që është për shkaqe personale, por për shkaqe parimore, pasi gjyqtari është jurist. Pa marrë parasysh a është nga Gjermania apo Amerika, secili jurist që i shërben një gjykate njëetnike kundër shqiptarëve dhe kundër UÇK-së, duhet me i ardhë keq dhe për shkaqe morale dhe profesionale duhet me dhanë dorëheqje. Sepse është gjykatë e padrejtë, sepse një gjykatë e tillë nuk është në asnjë vend të botës, dhe e krijuar vetëm kundër Kosovës dhe popullit të Kosovës”, ka thënë Musa.

Dorëheqja e këtij gjyqtari erdhi pak ditë pasi paneli i Gjykatës Supreme ku ai ishte pjesë, e refuzoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë nga Kadri Veseli, për lirimin nga paraburgimi.

Avokati Skënder Musa, vlerëson se edhe kjo ka mundur të jetë njëra nga arsyet.

“Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është kërkesa fundamentale për mbrojtjen e të pandehurit në procedurë. Gjyqtarët me këtë kërkesë vendosin standarde të trajtimit të temave penale. Në Dhomat e Specializuara nuk besoj që gjyqtarët kanë autonomi për të vendosur standarde. Sepse po të kishin autonomi të veprimit, të ishin të lirë, në marrjen e vendimit, kërkesa do të ishte aprovuar, dhe mund të jetë edhe kjo një shkak. Mirëpo ajo që deklarova është se gjyqtarët në këtë fazë para daljes në pension, nuk deklarohen për shkak që me ruajt autoritetin e Gjykatës. Edhe pse unë mendoj që kjo gjykatë e ka humbur autoritetin, dhe ata që presin drejtësi mashtrohen keq”, theksoi Skënder Musa.

Megjithatë, kjo nuk ishte dorëheqja e parë nga Dhomat e Specializuara të Hagës. Por a do të jetë e fundit? Kjo nuk dihet.

Dorëheqjet e mëdha nga Specialja

Largimi i Kryeprokurorit

Njëra nga dorëheqjet më enigmatike nga Dhomat e Specializuara të Hagës do të ishte largimi i Kryeprokurorit të parë, David Schwendiman. Ky i fundit kur u largua, kishte thënë se këtë e ka bërë me kërkesën e institucioneve amerikane. Por këtë arsyetim, nuk e tha edhe disa muaj pas largimit.

“Kjo duhet të ndodhë sepse administrata amerikane nuk mund të bëjë përjashtim për statusin tim si pensionist i rimarrë në shërbim, diçka që ligji nuk më lejon të ndryshoj, pavarësisht nga sa shumë mund të dëshiroj të qëndroj,” thuhej në deklaratën e David Schwendiman.

Ambasada amerikane largimin e Schwendimanit e kishte vlerësuar si ndryshim rutinor. Megjithatë, pas largimit të tij, Schwendiman e kishte kritikuar Departamentin e Shtetit për largimin e tij nga pozita më e rëndësishme e Gjykatës Speciale.

Schwendiman kishte deklaruar se kishte imponuar standarde të larta për të ngritur aktakuzë. Ai kishte rrëfyer se për një gjë të tillë duhet dëshmi të mjaftueshme, duke nënkuptuar se ai kishte refuzuar të ecte përpara me ngritjen e një aktakuze.

“Bazuar në praktikat profesionale më të mira kam shtuar disa kritere që t’i përdorim për të vendosur nëse duhet të ngrihen aktakuza që aktakuza e propozuar të mbështetet nga prova që janë të disponueshme për t’u paraqitur gjatë gjykimit dhe provat të cilat, pasi të jenë ekzaminuar nga një mbrojtje e mirëinformuar e përgjegjshme dhe e fuqishme me gjasë të jenë të mjaftueshme në nivelin sasior dhe cilësor që të çojnë në vendim të fajësisë të konfirmueshme edhe në fazën e apelin në lidhje me çdo të akuzuar dhe akuzë të propozuar”, kishte deklaruar David Schwendiman.

Ai poashtu kishte tërhequr vërejtjen se donatorët e Speciales që janë shtetet e Bashkimit Evropian nuk duhej të bënin presion.

“Donatorët mirëdashës duhet të shmangin bërjen e institucioneve si Zyra e Prokurorit më të cenueshme, duke dështuar të kuptojnë natyrën e hetimeve kriminale dhe ndjekjen penale të krimeve mizore duke pritur tejet shumë prej tyre”, kishte shtuar ai.

Diçka të ngjashme tha edhe ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons. Ai kishte hedhur dyshimet e tij se Schwendiman ishte larguar pasi nuk gjeti prova për aktakuza ndaj krerëve të UÇK-së.

Prokurori që u dorëhoq për t’u bërë avokat

Zyra e Prokurorit të Specializuar ishte dëmtuar, edhe me largimin e një prej prokurorëve të rëndësishëm si David Harpbach. Muaj më parë ai braktisi Gjykatën Speciale, për t’u bërë avokat në një zyrë në Amerikë.

Në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale, nuk specifikohet nëse ky prokuror është zëvendësuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *