A kishte fshehur ish-presidenti Trump dokumenta nga FBI?

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, dyshohet  të ketë fshehur dokumente gjatë një bastisjeje nga FBI-ja në vendbanimin e tij në qershor, deklaruan zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë.

Në një dokument gjykate, ky institucion tha se “me gjasë, janë bërë përpjekje për ta penguar hetimin e qeverisë”.

Departamenti i Drejtësisë pretendon se agjentëve “u është ndaluar në mënyrë eksplicite” kërkimi në një depo të rezidencës “Mar-a-Lago” në shtetin e Florida-së.

Të dhëna të tjera ka gjasë që “janë fshehur ose janë larguar” nga një vend i caktuar, deklaruan zyrtarët.

Dokumenti me 54 faqe u publikua të martën, para një seance gjyqësore, që do të mbahet të enjten, shkruan BBC, transmeton Neutral.

Presidentët amerikanë duhet t’ia dorëzojnë të gjitha dokumentet dhe shkresat elektronike agjencisë së quajtur Arkivat Kombëtare. E mesa duket Donald Trump nuk e kishte bërë këtë.  FBI-ja po heton nëse Trumpi i ka menaxhuar në mënyrë jo të duhur dokumentet duke i marrë ato nga Shtëpia e Bardhë e duke i dërguar në “Mar-a-Lago” pas largimit nga pushteti në janarin e vitit 2021.

Ish-presidenti ka mohuar se ka bërë ndonjë shkelje dhe ka thënë se dokumentet ishin të deklasifikuara. Ai ka paraqitur kërkesë që të njoftohet në mënyrë të hollësishme për dokumentet që i janë marrë në Florida dhe ka kërkuar nga autoritetet që t’ia kthejnë të gjitha dokumentet dhe gjësendet që nuk kanë qenë në fushën e bastisjes.

Megjithatë, nga Departamenti i Drejtësisë thuhet se çdo dokument presidencial që është sekuestruar gjatë bastisjes, “i përket Shteteve të Bashkuara, jo ish-presidentit”.

Avokatët e Trumpit kanë kërkuar që të caktohet një zyrtar ligjor neutral për të vlerësuar nëse dosjet e sekuestruara mbulohen nga legjislacioni i privilegjit ekzekutiv, që ua lejon presidentëve mbajtjen e komunikimeve të caktuara “të fshehura”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *