Lëshohet sërish urdhër arrest për Dardan Molliqajn

Për shkak se Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD), ka munguar në seancën e së premtes, përsëri ka dështuar të nis gjykimi për rastin e përleshjes fizike mes tij, shoqëruesit të tij dhe deputetit të VV-së, Haki Abazi, pas një debati televizivë në 2019-ën. Ndaj Molliqajt gjykata ka lëshuar urdhër arrest.

Në këtë rast akuzohet edhe Fatos Sahiti i cili ishte i pranishëm në sallë të gjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Molliqaj, gjykatësja e rastit Vlora Pacolli-Rexhepi bëri të ditur se i njëjti është arrestuar në bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga gjykata më 17 qershor të këtij viti.

Gjykatësja Pacolli –Rexhepi deklaroi se arrestimi i tij ishte bërë pas orarit të punës së gjykatës dhe tha se nuk ka pasur kushte për mbajtjen e seancës.

Arsyeja e urdhër arrestit sipas gjykatës Pacolli-Rexhepi ka qenë adresa e pa saktë që i akuzuari Molliqaj e kishte lënë në shkresat e lëndës.

Tutje, e njëjta deklaroi se gjykata në koordinim me të akuzuarin Molliqaj dhe pas premtimit të tij se i njëjti do të paraqitet në seancën e radhës ka revokuar urdhër arrestin.

“Atëherë gjykata në koordinim me të pandehurin Dardan Molliqaj dhe pas premtimit të tij se i njëjti do të paraqitet në seancën e radhës dhe pasi i njëjti ka siguruar adresën e saktë dhe ka pranuar ftesën me vërejtje dhe njoftim për pasoja ligjore të mos paraqitjes gjykata, ndaj të njëjtit me datë 17.06.2022 e ka revokuar urdhër arrestin te datës 01.06.2022”, tha gjykatësja Pacolli-Rexhepi.

Mirëpo, për arsye se i njëjti edhe pas pranimit të ftesës, revokimit të urdhër arrestit dhe pasi i njëjti kishte dhënë premtime do të paraqitet në seancë, gjykatësja Pacolli-Rexhepi tha se për të njëjtin konform nenit 307 dhe 175 të Kodit të Procedurës Penal gjykata përsëri lëshon urdhër arrest të ri ndaj Molliqajt.

Meqenëse se i akuzuari Sahiti ishte në seancë, gjykatësja e rastit Pacolli-Rexhepi e ka njoftuar atë për arsyet të cilat gjykata ka lëshuar urdhër arrest ndaj tij, sepse sipas saj në fletëkthesën e datës 29 prill 2022 është konstatuar se i akuzuari refuzon pranimin e ftesës.

E lidhur me këtë, i akuzuari Sahiti deklaroi se asnjëherë nga askush nuk është kontaktuar dhe se konstatimi i asaj fletë kthesë sipas tij nuk është e saktë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *