Përfundon afati i dytë i Provimit të Maturës, në këtë ditë dalin rezultatet

Ka përfunduar afati i dytë i Provimit të Maturës Shtetërore, organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Pas përfundimit, kjo ministri ka bërë të ditur se në këtë afat kanë marrë pjesë rreth 5 mijë maturantë, të cilët nuk e kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë.

“Provimi është organizuar në 59 qendra të Testimit, ndërsa në këtë proces janë angazhuar 177 komisionerë, 70 mbikëqyrës, 50 vëzhgues, si dhe 600 administrues. Ndërsa, të gjitha Qendrat e testimit janë monitoruar edhe nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC)”, thuhet në njoftimin e MAShT-it.

Ministria ka bërë të ditur që sipas informatave të para të Komisioneve, provimi ka filluar dhe ka përfunduar në kohën e caktuar dhe çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës.

“Në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa që parashihen me Ligjin e Maturës, si ndaj administruesve, ashtu edhe ndaj nxënësve. MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në këtë proces për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre. Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore për afatin e dytë pritet të publikohen më së largu më 7 shtator”, thuhet tutje në njoftimin e MAShT-it.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *