Herë si regjisor e herë si producent, Gentrit Shala është personi që është arrestuar nga Policia e Kosovës për mashtrim të disa bizneseve në Gjilan dhe Prizren me qëllim që të përfitojë financiarisht nga kompanitë në emër të emisionit “Aksham me Gjylin” të aktorit Osman Azemi. Po i njëjti person, kishte përfituar fonde publike nga Komuna e Gjilanit. Për këto fonde të ndara për OJQ “The Future” ku, Gentrit Shala është i paraqitur si regjisor është duke u hetuar nga Prokuroria në Gjilan.
Aktori, Osman Azemi ka konfirmuar rastin duke bërë të ditur se bëhet fjalë për disa kontrata që i dyshuari i ka nënshkruar në emër të tij me biznese të ndryshme
Si e zbuloi Osman Azemi se po i keqpërdorej emisioni për përfitime të tjetër kujt?
Osman Azemi, i njohur me personanzhin e “Teta Gjyli” tregon se si i ra në fije se emri i tij po keqpërdoret nga një mashtrues dhe po dëmtohen biznese të shumta.
Fillimisht Osmanin e kishte thirru një kompani e dëmtuar duke e pyetur se kur po fillon me xhirimet në bazë të kontratës që ata kishin nënshkruar me të dyshuarin Gentrit Shala. Për këtë kontratë Osmani nuk ishte në dijeni fare.
“Me ka thirr një biznes i Ferizajt dhe me tha unë e kam kry pagesën, tha kur keni me ardh me xhiru, unë e pyta me kë po flas se unë jam Osmani, tha po, një djal me emrin Gentrit ka fol si producent i serialit, une i thash që nuk njoh askend, sigurit është mashtrim. Pastaj ai ma dërgoj kontraten dhe unë menjëherë e lajmrova rastin në polici. Edhe sot mu kanë lajmëru 7-8 biznese që nga momenti që është bërë publike si lajm”, u shpreh Azemi.
Pasi Azemi ka pranuar kontratën, e ka konstatuar Gentrit Shalën duke i kërkuar llogari për të bëmat e tij.
“Kur mi kanë dërgu bizneset kontratat, ai e kishte lënë numrn e telefonit. Edhe unë e thirra në telefon. Momentin që e murr vesh që jam unë, unë e luta i thash të lutem gjeje një punë të ndershme e puno ndershëm si krejt bota mos u merr me këso mashtrime sepse unë u ndisha shumë keq kur bizneset u dëmtojshin në emër tem. Unë shkova meniherë në polici dhe e lajmrova rastin shkova drejt në Gjilan se e mora vesh që është nga atje, policia u treguan shumë profesional dhe e kanë ndalu personin”, ka thënë Azemi.
Për këtë rast që u zbulua është njoftuar edhe Prokuroria pas denoncimit të vet aktorit Azemi, i cili ka dhënë deklaratë në Polici në cilësinë e viktimës.
Emri i Gentrit Shalës është i njohur për mashtrim.
Insajderi ishte raportuar më herët për një projekt të financuar nga fondet komunale lidhur me një Dokumentar për Medvegjën.
Emri i tij përmendej si regjisor në projektin: Dokumentar për Medvegjën, projekt i financuar nga Komuna e Gjilanit, por që kurrë nuk u realizua.
Gentrit Shala kishte përfituar përmes organizatës “The Future” përfaqësues i së cilës ishte Arianit Ibrahimi.
Grupi kishin marrë një shumë prej 1 mijë e 500 eurosh. Paratë i morën, por projektin nuk e realizuan kurrë.
Në këtë projekt shef i Gentian Shalës ishte Arianit Ibrahimi. Emri i tij figuronte në projekt.
Cila është lidhja e mikut të Gentrit Shalës, Arianit Ibrahimit me kryetarin e Gjilanit, Alban Hysenit?
Arianit Ibrahimi është asamblist në Gjilan nga radhët e AKR-së së Pacollit. AKR në Gjilan është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje pjesë e së cilës është kryetari Alban Hyseni.
Përpos projektit të fituar më herët, Pushteti i Alban Hysenit, përmes një thirrje publike ishte kujdesur që t’i ndante të kënaqur me shumën e ndarë të parave miqtë e ngushte të partnerit të tij të koalicionit, Arianit Ibrahimit të AKR-së.
Skema e përfitimit e njerëzve të afërt me partnerin e koalicionit të Alban Hysenit u ndërpre pas presionit të madh publik.
Nga “Marrëveshje mbi Parimet”, në ndarje tinëz të afro 4 mijë euro për njerëzit e partnerit të koalicionit
Përfituesi më i madh i thirrjes publike të shpallur nga pushteti i Alban Hysenit të VV-së, ishte një organizatë e drejtuar nga miqtë e ngushtë të partnerit të tij të koalicionit, Arianit Ibrahimi. Organizata quhet “Lirona MDV”.
Organizata drejtohet nga Lirona Zuka, Gentrit Shala, Argjenta Qamili. Të tre janë miq të Arianit Ibrahimi, kryetarit të degës së Aleancës Kosova e Re në Gjilan. AKR në Gjilan është në koalicion me Vetëvendosjen, që pushteti drejtohet nga Alban Hyseni.
Emri i projektit përmes së cilit, miqtë e Ibrahimit tentuan t’i marrin mjetet nga komuna, është “Film Dokumentar për vlerat kulturore”.
Të njëjtit kishin përfituar edhe nga pushteti i Lutfi Haziri, përmes organizatës “The Future” përfaqësues i së cilës ishte Arianit Ibrahimi.
Grupi kishin marrë një shumë prej 1 mijë e 500 eurosh për të realizuar një dokumentar për Medvegjën. Paratë i morën, por projektin nuk e realizuan kurrë.
Vetëm një gjë ndryshon te përfitimet e projekteve nga të dy pushtetet.
Në projektin e kaluar shef i Lirona Zukës, Gentian Shalës e Argjenta Qamilit ishte Arianit Ibrahimi. Emri i tij figuronte në projektin e kaluar. Në të riun nuk figuron zyrtarisht pasi që është partner zyrtar i koalicionit bashkë-qeverisës me Alban Hysenin e VV-së. Ibrahimi është asamblist në Gjilan nga radhët e AKR-së së Pacollit.