Përleshjet fizike në të cilat përfshihen të rinjtë janë të shpeshta në vendin tonë. Vazhdimisht raportohen raste në Polici, por edhe nga qytetarët për rrahje mes qytetarëve, të cilat në shumë raste kanë përfunduar tragjikisht. Kjo është shndërruar në një dukuri shqetësuese duke u rrezikuar kështu siguria publike, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Landovicë të Prizrenit, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht një person tjetër.
Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje, ku 24-vjeçari ka grushtuar 29-vjeçarin, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore, për çka u desh të kërkojë ndihmë mjekësore.
Njësitet policore me të marrë informatën kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë arrestuar personin e dyshuar, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.