Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmanit, kanë kërkuar hedhjen e aktakuzës, përmes avokatëve mbrojtës.
Lajmin e kanë konfirmuar nga Gjykata Themelore e Ferizajt.
“Ju njoftoj se mbrojtësit e të akuzuarve D.K. dhe A.S, në Gjykatën Themelore në Ferizaj kanë parashtruar kërkesë për hudhjen e aktaktuzës, e cila kërkesë është parashtruar brenda afateve ligjore”, ka thënë Gentiana Hoxha, zyrtare ligjore në këtë gjykatë.
Seanca fillestare për këtë rast ishte mbajtur më 14 korrik. I pyetur nga gjykata në lidhje me fajësinë apo pafajësinë, Krivaqa është mbrojtur në heshtje. Ndërkohë, Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm për veprat që ngarkohet.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Ferizaj në fund të muajit të kaluar ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021.
Sipas aktakuzës së prokurorisë, me datë 22 Gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Po ashtu, sipas prokurorisë, për të pandehurin Dardan Krivaqa, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”.
Ndërsa, i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa, në kryerjen e veprës penale të dhunimit, me çka kreu veprën penale ndihmë në kryerjen e dhunimit.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.
Në fillim të muajit korrik u publikua edhe dosja e plotë e prokurorisë në rastin e Marigona Osmanit, ku përshkruheshin dëshmitë se si 18-vjeçarja ishte dhunuar e më pas kishte ndërruar jetë.
Nofullën e poshtme të thyer, thyerje të brinjëve, thyerje të unazave të qafës, këputje e palcës së qafës, lëndimet të syve, fytyrës dhe pothuajse në çdo pjesë të trupit, janë ato çfarë janë përshkruar në raportin e autopsisë.
Lëndimet e shumta apo siç thuhet në raport ‘poli trauma’, ka bërë që të vihet deri të vdekja e tanimë të ndjerës.