Suharekë: Motra e kërcënon me thikë vëllain 52-vjeçar, të dy recidivistë të dhunës në familje

Jo rrallëherë në rastet e dhunës në familje janë të përfshirë edhe fëmijët, të cilët për shkak të mosmarrëveshjeve me njëri-tjetrin përfundojnë në Polici. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në rrugën “Brigada 123” në Suharekë, por palët e përfshirë nuk janë të moshave të reja. Sinjali mëson se këtë herë motra 41-vjeçare dyshohet se e ka kërcënuar vëllain e saj 52-vjeçar.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në shtëpinë e tyre, në orët e pasdites, kur viktima njoftoi Policinë dhe kërkoi ndihmë për shkak të telasheve që po ia shkakton motra e tij.

Me të arritur në vendin e ngjarjes, patrulla policore ka kuptuar se viktima është kanosur seriozisht me thikë nga e dyshuara. E njëjta më pas është shoqëruar në stacion policor, për t’u përballur me denoncimin kundër saj. Para hetuesve policorë ajo e ka mohuar kategorikisht ta ketë kërcënuar vëllain e saj.

Përveç në shtëpi, ajo tentoi që edhe në Polici t’iu vërsulet vëllait, për ta sulmuar, por që është vënën nën kontroll nga zyrtarët policorë.

Sipas burimeve, ajo që është zbuluar është se dy palët e përfshira, edhe më parë dyshohet se kanë ushtruar dhunë në familje, pra janë recidivistë të kësaj vepre penale.

Lidhur me rastin e fundit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarës është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *