Policia e Kukësit ka bërë me dije se ka arrestuar gjashtë shtetas të cilët tentuan të trafikonin armë zjarri dhe municion luftarak, drejt Kosovës.
Operacioni i koduar “Rrugëtimi” ishte i shtrirë në tri qarqe, Kukës, Durrës dhe Dibër.
Po ashtu Policia ka njoftuar se janë sekuestruar armë zjarri, municion luftarak dhe shuma parash.
Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në ambientet e jashtme të një pike karburanti, me 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë tip “Glock”, sasi municioni luftarak, si dhe me shuma prej 222 mijë lekësh dhe 710 eurosh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Policia thekoi se po vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në veprimtarinë kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit drejt Kosovës.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme.