Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka thënë se kanë nënshkruar katër kontratat për trajtimin e qenve endacak.
Musliu tha se Komuna do të bëjë blerjen e çipave që do tu vendosen qenve. Kjo sipas tij, me qëllim që të identifikohen, ngase thotë se po vijnë qen edhe nga komunat e tjera.
Për Ekonomia Online ai tha se për trajtimin e qenve endacakë do të vihet në funksion edhe strehimorja regjionale e cila do të jetë gati vitin tjetër.
“Sa i përket qenve endacakë kemi nënshkruar katër kontrata. Kemi 4 lloje për trajtimin e qenve endacak. Dy të tjera janë në vlerësim dhe i fundit ka të bëjë me blerjen e çipave. Qenve të kryeqytetit do t’i vendoset çipi me qëllim me pa që janë qen të kryeqytetit sepse me apo pa qëllim qentë po vinë nga komuna tjera”.
Tani edhe me iniciativë të kryetarit menduam të reagojmë me katër operatorë. Si master-plan për trajtimin e qenve endacakë është edhe strehimorja në Prishtinë që mendohet të bëhet pastaj strehimorja regjionale e cila do të bëhet vitin tjetër”, tha Musliu.
Ai tha se problemet më të mëdha e kanë pasur me ndërmarrjen “Pastrimi”.
“Problemet që kemi pasur i kemi trashëguar me ndërmarrjen Pastrimi. Së fundmi kemi marrë një vendim dhe kemi shkarkuar kryeshefin për shkak të kësaj performance. Ne paguajmë 4 milionë euro në vit për shërbim për grumbullim të mbeturinave. Komuna merr përsipër edhe inkasimin që ndërmarrja të mos penalizohet”.
“Deponia disa herë i ka mbyllur dyert për ndërmarrjen Pastrimi për shkak të borxhit që nuk ka mbërritur të paguajë. Tash jemi duke bërë riorganizim të ndërmarrjes. Pjesa urbane është duke ecur më mirë sa i përket stabilizimit”, tha ai./ EkonomiaOnline