Drejtori i Spitalit rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë, Jeton Zarari, mëngjesin e sotëm e nisi si çdo ditë tjetër. Por me të shkuar në spital për të kryer punën e tij, ai u përball me kërcënime serioze për jetën, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:30 kur në zyrën e tij kishte shkuar një person i cili kishte filluar ta kërcënojë Zararin me fjalët se do ta rahatojë.
I dyshuari A.G. (emër i njohur për redaksinë), është bashkëshorti i njërës nga punonjëset shëndetësore të Spitalit, të cilës i është ndërruar së fundi vendi i punës.
Burimet thonë se ky dyshohet të jetë edhe motivi i kërcënimit ndaj Zararit. A.G., kishte vazhduar ta kërcënojë drejtorin se do merret personalisht me të e do “t’ia djeg zemrën”, pasi që siç është shprehur i dyshuari, më parë e ka ‘rehatuar’ një person dhe këtë s’përton ta bëjë sërish.
Kjo padyshim që ka shkaktuar shqetësim te Zarari, i cili menjëherë ka denoncuar rastin në Polici, me ç’rast njësitet policore janë vënë në lëvizje që ta kapin të dyshuarin.
Pas disa orësh kërkime, Policia ka arritur që ta arrestojë të dyshuarin, i cilin është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, A.G., dërgohet në mbajtje për 48 orë. Kujtojmë që specialisti i kirurgjisë së fëmijë, Jeton Zarari, u caktua si drejtor ekzekutiv i spitalit ‘Isa Grezda’ në qershor të këtij viti.