Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS), ka publikuar disa këshilla për kursimin e energjisë elektrike, në një kohë që konsiderohet si krizë botërore e energjisë.
Këshillat e KEDS janë destinuar kryesisht për amvisërinë, që vlerësohet si shpenzuesi më i madh në vend.
“Amvisëria si një ndër shpenzuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike mund të kontribuojë shumë në uljen e konsumit, sidomos aty ku ka mundësi të madhe të kursimit. Nëse çdo konsumator kursen energji elektrike për vete dhe familjen e tij, ne në fakt jemi duke kursyer energji edhe për konsumatorët e grupeve të ndjeshme, të cilëve mund të ju nevojitet energjia elektrike më shumë se kurrë”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Sipas ekspertëve të KEDS, këto janë disa nga masat që konsumatorët shtëpiak duhet t’i ndërmarrin për ta kursyer energjinë elektrike:
- Shfrytëzimi i alternativave të tjera për ngrohje, aty ku ka mundësi.
- Në objektet banesore ku është e pamundur një gjë e tillë, kalimi në ngrohës efiçent si dhe menaxhimi më i mirë i hapësirave të ngrohjes.
- Kujdesi në ngrohësin e ujit (bojlerin) dhe kohën kur ai përdoret. Potencialisht zëvendësimi i tij me ngrohës diellor.
- Përdorimi i pajisjeve elektro-shtëpiake në kohën kur energjia është më e lirë (jashtë pikut).
- Ndalja e furnizimit pajisjeve që nuk ka nevojë të përdoren në kohë të caktuara, duke filluar nga dritat.