Sot u raportua për një rast të ngacmimit seksual që ka ndodhur dje në Prishtinë, ku viktimë dyshohet të jetë një vajzë e mitur. I dyshuari i cili kryen veprimtarinë e taksive ilegalë, u arrit që të identifikohej, me ç’rast është arrestuar nga Policia.
Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet e veta se personi që dyshohet se ngacmoi seksualisht 17-vjeçaren është Labinot Berbatovci, 36-vjeçar.
Sipas burimeve, Berbatovci e kishte ngacmuar të miturën me fjalët ‘i kam 50 euro, hajde ndalemi diku’, duke aluduar në krijimin e një raporti intim me të miturën.
Pos kësaj, ai kishte vazhduar ta ngacmojë edhe me fjalë të tjera, çka bëri që 17-vjeçarja të kërkojë që të zbres menjëherë nga vetura. Por i dyshuari nuk kishte përfillur kërkesën e saj, duke mos e ndalur veturën fare. Duke parë rrezikun që i kanosej, e mitura kishte vendosur që të kërcej nga vetura gjatë kohës që ajo ishte në lëvizje.
36-vjeçari është shoqëruar në stacion për intervistim, ku para hetuesve policorë ka pranuar veprën që ka kryer.
Me urdhër të prokurorit, Berbatovcit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim seksual’