Mbrëmë u raportu për një rast në Obiliq, ku dje rreth orës 16:00 në rrugën ‘Hasan Prishtina’ janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Një 32-vjeçar dyshohet se ka shtënë gjashtë herë me armën e tij në drejtim të burrit i cili denoncoi rastin në Polici. I njëjti menjëherë pas kryerjes së veprës, është arratisur.
Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet e veta se i dyshuari për vrasjen në tentativë është 32-vjeçari, Fatos Rexhepi.
Rexhepi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të 47-vjeçarit, me ç’rast njësitet policore në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe sekuestruar gjashtë gëzhoja të cilat dyshohet se janë të armës që u përdor në rast.
Në vargun e veprimeve hetimore, me urdhër të Gjykatës, njësitet policore kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vrasje e rëndë në tentativë’, ndërsa veprimet tjera do merren posa të kapet Rexhepi i cili është shpallur në kërkim policor.