Me 24 vjet burgim për vrasje të rëndë dhe me 10 muaj për armëmbajtje pa leje është dënuar të hënën Sylejman Ahmeti.
Kjo video është shfaqur në njërën prej seancave në Gjykatën e Prizrenit si dëshmia kryesore për vrasjen e Shaip Krasniqit më 26 janar të vitit 2020, në fshatin Maqitevë të Suharekës.
I dënuari Ahmeti shihet teksa shkon në veturën e tij për ta marrë armën pas fjalosjes me viktimën në një lokal dhe me gjithë përpjekjet e të pranishmëve për ta ndalur ai shkrep 8 herë mbi të.
“Kështu me të shtëna nga arma e zjarrit Shaip Krasniqin e godet në fytyrë dhe nga kjo goditje rrëzohet në tokë e më pas derisa ka qenë i shtrirë në tokë i akuzuari afrohet e godet edhe disa herë dhe i drejtohet me fjalët çu ta q… 7 mijë nëna, Allahu ta marroftë xhenazen”, tha gjyqtarja Teuta Krusha.
Në seancat e mbajtura gjatë më shumë së një viti, kanë qenë kryesisht familjarët e viktimës të përfshirë nga emocionet, e të hënën vendimi i gjykatës përloti edhe familjarët e të dënuarit.
Ai për dënimin e shqiptuar i fajësoi mediat.
“Qeto kamera i kanë bërë, këto flliqtihane”, tha Ahmeti.
Apelim të vendimit kanë paralajmëruar të dyja palët, njëra duke kërkuar burgim të përjetshëm e tjetra ulje të dënimit.
Avokati i familjes së viktimës ka thënë se familja këtë rast ia ka besuar drejtësisë, por se gjendjen tashmë të rëndë të tyre e përkeqësojnë akuzat për hakmarrje.
“Ky rast ka qenë ndër rastet më të rënda si vrasje që ka ndodhur në Kosovë, familja ka qenë e zhgënjyer që nga fillimi për shkak se përveç vrasjes që u ka ndodhur ndaj anëtarit të tyre në familje të ngushtë, më të rëndë dua të them se e ka bërë fakti kur familjarët e dorasit në media kanë deklaruar se kinse familja e të ndjerit po i ndal fëmijët e tyre për të shkuar në shkollë, kjo e ka vrarë për së dyti familjen”, tha Miftar Qelaj, avokat i familjes së viktimës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë në Prizren, në janar të 2020-s Shaip Krasniqi dyshohet se është vrarë nga shoku i tij, Sylejman Ahmeti, për një borxh prej 20 eurove, që i ndjeri ia kishte pasur vëllait të të akuzuarit.
Gjatë fjalës përfundimtare i akuzuari Sylejman Ahmeti, kishe thënë se i vjen keq për humbjen e shokut, por nuk e ka pranuar fajësinë. KOHA.net