Sylejman Ahmeti është shpallur fajtor për vrasjen e Shaip Krasniqit.
Trupi gjykues në Gjykatën Themelore në Prizren, ka shpallur të hënën aktgjykimin dhe ka dënuar me 24 vjet e 10 muaj burgim, për vrasje të rëndë dhe për armbëmbajtje pa leje.
Sipas Prokurorisë në Prizren, Shaip Krasniqi dyshohet se është vrarë nga shoku i tij Sylejman Ahmeti për një borxh prej 20 mijë eurove, më 26 janar të 2020, në një lokal të fshatit Maqitevë të Suharekës.
“I akuzuari S.A., ka privuar nga jeta personin tjetër, dhe me atë rast me dashje ka vë në rrezik jetën e një apo më shumë personave tjerë, ashtu që me datë 26 janar 2020, rreth orës 21:45, në një lokal – kafiteri, në fshatin Maqitevë – Komuna e Suharekës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh, që i’a kishte tani i ndjeri Sh.K., vëllait të të akuzuarit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda (trupi gjykues, Teuta Krusha – Kryetare, dhe anëtarët Raima Elezi dhe Luan Berisha), ka shpallur aktgjykim Dënues ndaj të akuzuarit S.A., për shkak se:
ËSHTË FAJTOR
- I akuzuari S.A., ka privuar nga jeta personin tjetër, dhe me atë rast me dashje ka vë në rrezik jetën e një apo më shumë personave tjerë, ashtu që me datë 26 janar 2020, rreth orës 21:45, në një lokal – kafiteri, në fshatin Maqitevë – Komuna e Suharekës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh, që i’a kishte tani i ndjeri Sh.K., vëllait të të akuzuarit, fillimisht i akuzuari S.A., i thotë “a e di kë e keni sha ju, pa ta q* n**** nuk e la, në qoftë se je burrë qu dil jashtë”, dhe pasi pronari i lokalit e largon të ndjerin jashtë, dhe deri sa i ndjeri ishte jashtë duke kërkuar falje pronarit të lokalit për gjestin e bërë, i akuzuari me shpejtësi ngritët nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë, shkon në kamionetën e tij, e merr pushkën gjysmë automatike të tipit “Ak-47”, nga një distancë e afërt shkrep në drejtim të të ndjerit Sh.K., i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sopatës në dorë, fillimisht i akuzuari e godet të njërin në fytyrë, pasi i ndjeri rrëzohet në tokë, i akuzuari vazhdon deri sa i ndjeri ishte i rrëzuar e godet edhe disa herë, me ç ‘rast i shkakton 8 (tetë) plagë në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, të cilat aty për aty kanë qenë vdekjeprurëse
- Këso dore ka kryer veprën penale vrasja e rëndë nga neni 173 par. 1 nën par. 1.5 të Kodit Penal.
- I akuzuari S.A., në vend dhe kohë të njëjtë si më lart, nga data e pavërtetuar në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm ka poseduar armën gjysmë – automatike të tipit “Ak-47”.
- Këso dore ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1 të të Kodit Penal.
Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin e GJYKON: - DËNIM UNIK me BURGIM në kohëzgjatje prej 24 vitesh e 10 muaj
Në arsyetimin të shkurtër, pas shpallje së aktgjykimit, Kryetarja e Trupit Gjykues ka njoftuar se deri tek vendimi i shpallur, trupi gjykues ka ardhur pas analizimit të të gjitha provave materiale, deklaratave të dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes dhe nga deklarata e të akuzuarit, nga të gjitha këto është vërtetuar në tërësi ngjarja e ndodhur në momentin kritik.
Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit