Nuk janë të rralla rastet kur prindërit detyrohen që të denoncojnë në Polici fëmijët e tyre, nga të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën e Mramorit në Hajvali të Prishtinës, ku një djalë dyshohet se ka kërcënuar nënën e tij.
Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar nëna, e cila ka deklaruar se e gjithë ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e tyre, ku 22-vjeçari ka kërkuar nga ajo që të ulet dhe t’i tregojë se me kë ka kryer marrëdhënie seksuale.
Sipas saj, gjatë kësaj kohe, i biri po mbante në dorë një thikë dhe në një moment ai e kishte sulmuar duke i mbyllur gojën me duar.
Pas gjithë asaj që ndodhi, i riu është larguar me veturën e tij në drejtim të panjohur, teksa njësitet policore janë vënë në lëvizje për ta kapur atë.
Sipas nënës, djali i saj është përdorues i narkotikëve dhe shpesh ka probleme me ligjin.
Me urdhër të prokurorit, është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’, ndërsa veprimet tjera do merren posa të kapet i dyshuari.