Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, në një intervistë për Ekonomia Online ka treguar se në kryeqytet parashihet të operojnë 161 autobus.
Ndërmarrja Trafiku Urban, ka sqaruar ai operon me 51 autobus e pritet që t’i shtohen 30 të tjerë. Musliu shtoi se me blerjen e autobusëve të rinj do të ngritët edhe çmimi i biletave nga 40 në 50 cent.
Sipas tij, kërkesë tjetër është edhe operimi i minibusëve për zonat rurale dhe urbane. Ai ka sqaruar se sektori privat do të operojë me 80 autobus të rinj.
“Me planin e mobilitetit për kryeqytetin parashihet të operojnë 161 autobus. Realisht me këta autobus do t’i bëjmë zgjidhje transportit publik. Ne për momentin kemi 51 autobus në Trafikun Urban mendohet me ardhur edhe 30 të tjerë”.
“Prej BERZh kemi disa kushte para se të bëjmë thirrjen e re për blerjen e autobusëve të rinj. Që kushti i parë ka të bëjë me nënshkrimin e kontratës me njërin prej operatorëve privat. Kushti i dytë është rritja e çmimit të biletës prej 40 cent në 50 cent për arsye se biznes plani çmimi i derivateve ka qenë krejt tjetër andaj mbrapa kësaj po shohim arsye të qëndrueshme”.
“Prej 30 autobusëve 6 deri në 8 mendohet me qenë elektrik. Kërkesë që është bërë së fundmi është të kemi edhe minibus për arsye se kemi kërkesë nga disa zona rurale me pas transport publik. Minibus mund të përdoren edhe brenda qendrës në kryeqytet. Pjesa e sektorit privat mendohet të operohet me 80 autobus të rinj të tjerë”, tha Musliu.