Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, po komentohet në media lidhur martesën e saj të fshehtë me regjisorin, Taika Waiti.
Gjithashtu, krahas kësaj, është raportuar se është duke punuar në albumin e saj të tretë, shkruan lajmi.net.
Një burim i tha tabloidit britanik The Sun, se artistja shqiptare është duke punuar në studio për albumin e ri, i cili do të përfshijë edhe një bashkëpunim me një artiste tjetër të famshme.
“Rita tashmë është kthyer në studio duke punuar në albumin e saj të tretë, me sesionin e saj të fundit të incizimit me Ava Max dhe kompozitorin Noah Cyrus”, tha burimi.
Ava Max, emri i vërtetë i së cilës është Amanda Koçi është këngëtare shqiptare me famë botërore – e njohur nga hiti i saj i famshëm “Sweet but Psycho”.
Ajo kishte folur në një intervistë ekskluzive për Telegrafin në fund të vitit 2020, ku e pyetur për një bashkëpunim me homologet e saj të famshme si: Rita Ora, Dua Lipa ose Bebe Rexha – ajo ishte shprehur mjaft optimiste.
“Një bashkëpunim me të gjitha ne femrat nga Shqipëria do të ishte një ëndërr absolute. Kur Bebe Rexha më ftoi për një bashkëpunim unë isha gati të kuptoj diçka! Ne në fakt jemi bërë miq dhe kemi qëndruar afër që nga ajo ftesë. Le të shohim se çfarë na pret në të ardhmen sa i përket një kënge nga të gjitha ne”, kishte thënë Ava Max për Telegrafin.
Këngëtarja me origjinë nga Shqipëria përndryshe ka një album të publikuar në tregun ndërkombëtar, të titulluar “Heaven and Hell”, gjersa Rita Ora ka deri më tani dy albume: “Phoenix” dhe “O.R.A”.