Franca vazhdojë të marrë vendime të rrepta, po aq sa absurde, ndaj emigrantëve kosovarë. Një rast i fundit i dëbimit të një kosovari që jeton dhe punon në qytetin e Rouenit, ka nxitur reagimin e ashpër të shoqatave të migrantëve dhe punëdhënësit të emigrantit nga Kosova.
Liridon Musolli, siç shkruan një media lokale në Rouen, është një kosovar që jeton në Francë nga viti 2016. Ai ka mësuar shpejt frëngjisht dhe ka lidhur një kontratë të përhershme pune me një kompani ndërtimi në Rouen, në vitin 2020.
Familja e tij është një “model i integrimit” në shoqëri, thonë shoqatat e emigrantëve në Rouen. Ai jeton në Rouen bashkë me partneren e tij dhe tre fëmijët, dy prej të cilëve kanë lindur në Francë, transmeton Paparaci.
Pavarësisht situatës, Liridon Musolli është urdhëruar nga autoritetet franceze të largohet nga Franca. Vendimi hyn në fuqi më 1 shtator.
Abdurditetin e rastit e ka denoncuar edhe punëdhënësi i Musollit. Ai është i shqetësuar për humbjen e një “punëtori shembull” në një sektor që ka nevojë për fuqi punëtore.
“Ai është drejtues ekipi dhe nëse largohet, do ta kem të vështirë të gjej dikë aq të mirë që është në gjendje ta zëvendësojë atë. Është e vështirë të rekrutosh punonjës në këtë sektor”, tha Mickael Demir, pronari i një kompania të vogël ndërtimi në Rouen.
Demir nuk mund ta besojë vendimin e autoriteteve franceze.
“Ai ka profilin perfekt të një njeriu të integruar në shoqëri, që punon mirë, që paguan taksat, nuk përfiton nga sistemi… është ky lloj modeli që na duhet në Francë”, tha ai.
Rene Gobbe, një drejtues i një shoqate të migrantëve në Rouen, ka thënë se ka bërë kërkesë në Bashkinë e Rouenit për të shtyrë afatin e urdhrit të largimit nga shteti për kosovarin.
Megjithatë, ankesa është refuzuar. Urdhri ka mbetur në fuqi. Liridoni pritet të largohet nga Franca më 1 shtator.