Një vajzë 22-vjeçare është sulmuar në parkingun e marketit ‘Viva Fresh’ te rruga B në Prishtinë, mbrëmë rreth orës 21:00. Motivet e sulmit ende s’janë të njohura, por sipas informatave të para atë e ka rrahur një person i moshës 34-vjeçare, i cili nuk dihet se çfarë raporti ka me viktimën, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë njoftuar se dikush e ka njoftuar Policinë për rastin e rrahjes, me ç’rast një patrullë ka intervenuar, ku ka gjetur në parking vajzën që u sulmua.
Ajo ka deklaruar se i dyshuari R.H., e ka sulmuar fizikisht, duke e goditur me duar dhe më pas është zhdukur, por jo për një kohë të gjatë.
Sinjali mëson se pas një periudhë të shkurtër, ai është dorëzuar në Polici, ku ka dhënë deklaratë në lidhje me rastin dhe më pas është dërguar në mbajtje. Kjo pasi që Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën penale “sulm”.