Një shqiptare 27-vjeçe e identifikuar si Donatella Hodo, i ka dhënë fund jetës në qelinë e burgut në Itali.
E reja vrau veten duke thithur gaz në burgun Veronese të Montorios më 2 gusht.
Ajo i dha fund jetës në qelinë e burgut, pas një lufte të gjatë me varësinë nga droga.
Dënimin në burg e vuante për disa vjedhje në farmaci.
Ndërkohë gjykatësi mbikëqyrës Vincenzo Semeraro shkroi një letër të hapur, të lexuar në funeralin e Hodos, në të cilën ai akuzoi veten dhe kërkoi falje.
“U bë një javë që kur Donatella kreu gjestin e saj tragjik që unë i bëj vetes një mijë pyetje. Ku gabova, në çfarë? Sa herë që një person në burg merr jetën e tij, kjo do të thotë se i gjithë sistemi ka dështuar. Në rastin e Donatellës , unë isha pjesë e sistemit pasi e kisha ndjekur rastin e saj për gjashtë vjet. Pra, si sistemi, edhe unë kam dështuar”, u shpreh gjyqtari italian.