Një rast i dhunës në familje është denoncuar gjatë ditës së djeshme nga një grua në Prizren, e cila po pretendon se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë ndaj saj dhe e ka kërcënuar. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e tyre në rrugën “Flamuri i Arbërit”, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se konflikti mes çiftit ka nisur pas një mosmarrëveshje që kanë pasur kohë më parë dhe ka eskaluar gjatë ditës së djeshme, kur i dyshuari 27-vjeçar e ka fyer e kërcënuar bashkëshorten duke i thënë “Kam njerëz që për 200 euro vrasin”. Gruaja e tij ka deklaruar para hetuesve se përveç kësaj, ai dyshohet se i ka bërë presion dhe e ka kontrolluar në vazhdimësi.
Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur ta raportojë rastin dhe të kërkojë ndihmë, si pasojë e frikës dhe shqetësimit që ia ka shkaktuar bashkëshorti.
Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në veprim dhe ka shoqëruar në stacion për intervistim të dyshuarin, i cili ka dhënë deklaratë për rastin.
Ndaj tij, kanë nisur hetimet për veprën dhunë në familje, teksa viktima është dërguar te familja e saj, aty ku ndihet më e sigurt.