Pas katër muajsh në arrati, i dyshuari për vjedhjen e veturës së kompanisë ‘Urban dhe Robert Taxi’ në Prishtinë, tashmë është dorëzuar në Polici. Sinjali mëson ekskluzivisht se hajni që vodhi taxin është në duart e organeve të rendit dhe ndaj tij është nxjerrë aktvendim për ndalim, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë njoftuar se i dyshuari për këtë rast., B.B., 34-vjeçar është dorëzuar pasditen e djeshme në Polici, nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Vjedhje e rëndë’. Ai po dyshohet se më 3 prill të këtij viti, ka vjedhur një veturë në vlerë prej 35 mijë eurove nga parkingu i kompanisë në rrugën “Lidhja e Pejës”, përball Terminalit Doganor në Prishtinë.
Pas intervistimit nga hetuesit policorë, ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin prej 48 orësh dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor. Gjatë kësaj periudhe, mbetet të shihet nëse Prokuroria do të dorëzojë në Gjykatë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Çka dihet për rastin – Pamjet e publikuara ekskluzivisht nga Gazeta Sinjali
Në ditën që ndodhi rasti, Sinjali pati publikuar pamjet ku shihet se si u krye vjedhja nga i dyshuari. Si në “bahçe të babës”, ai shihet se si e kalon rrugën dhe afrohet në parkingun ku gjendej vetura. Automjeti të cilin ai dyshohet se e vodhi ka qenë i hapur dhe çelësi ishte brenda pasi siç kishte deklaruar menaxheri ashtu i parkojnë gjithmonë veturat.
Ndryshe për vjedhjen e kësaj veture, menaxheri i kompanisë kishte ofruar edhe shpërblim prej 35 mijë eurosh për ata që e gjejnë.